Manchester City ka prezantuar zyrtarisht blerjen më të bujshme të kësaj merkatoje, portierin Gianluigi Donnarumma. Kapiteni i Italisë ka zgjedhur të mbajë numrin 25, një zgjedhje e re për të, pasi gjatë karrierës së tij ka veshur kryesisht numrin 99 te Milani dhe PSG-ja, ndërsa në Paris ka provuar gjithashtu 50, 16 dhe 1.
Numri 25 deri pak ditë më parë i përkiste Manuel Akanji-t, i cili është transferuar tek Interi. Përpara tij, këtë fanellë te City e kanë mbajtur lojtarë të njohur si Joe Hart, Wayne Bridge, Emmanuel Adebayor dhe Fernandinho.
Në fjalët e para si lojtar i kampionëve të Anglisë, Donnarumma u shpreh i emocionuar:
“Firmosja për Manchester City është një moment i veçantë dhe me shumë krenari për mua. Po bashkohem me një skuadër plot talente botërorë, të drejtuar nga një prej trajnerëve më të mëdhenj në historinë e futbollit, Pep Guardiola. Ky është një klub ku çdo lojtar në botë do të donte të luante”.
Ai shtoi gjithashtu se mezi pret të njohë shokët e rinj të skuadrës dhe të zbresë në fushë në “Etihad Stadium”:
“Do të jap gjithçka për të ndihmuar klubin që të arrijë edhe më shumë suksese”.
Me këtë transferim, Manchester City jo vetëm që forcon portën, por fiton edhe një lojtar me eksperiencë ndërkombëtare, i cili synon të shkruajë faqe të reja historie në Premier League dhe Champions League.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: