Në Barcelonë po punohet me ritme të larta për të përfunduar punimet në ‘Spotify Camp Nou’, teksa klubi ‘blaugrana’ është në garë me kohën për të marrë Certifikatën e Përfundimit të Punimeve (CFO). Ky dokument është thelbësor për ta paraqitur më pas në Komunën e Barcelonës, e cila vendos për lëshimin e Licencës së Parë të Përdorimit.
Sipas medieve spanjolle, nesër, më 21 gusht, UEFA do të vizitojë kantierin e stadiumit për të inspektuar gjendjen aktuale të punimeve. Vetëm pak ditë më parë, edhe përfaqësues të La Liga-s kryen një kontroll të hollësishëm në impiant.
Situata është mjaft delikate, pasi vetëm tri javë ndajnë Barcelonën nga ndeshja e parë zyrtare në shtëpi, kundër Valencias, më 13 ose 14 shtator. Megjithatë, ekziston pasiguri e madhe për vendin e zhvillimit të sfidës. Opsioni alternativ, ‘Estadi Olímpic i Montjuïc’, nuk do të jetë i disponueshëm, pasi më 12 shtator aty do të mbahet një koncert i Post Malone, duke e pamundësuar përdorimin e tij.
Përveç kërkesave të komunës, UEFA ka standardet e saj të pavarura për stadiumet që presin ndeshjet e Champions League, të cilat Barcelona duhet t’i plotësojë pavarësisht nga procesi administrativ lokal.
Pikërisht për këtë arsye, klubi katalanas ka kërkuar nga organizatorët e La Liga-s që ndeshjen e parë të kampionatit ta luajë në transfertë më 16, 17 ose 18 shtator, për t’i dhënë vetes edhe dy javë kohë shtesë. Objektivi është që më 30 shtator ose 1 tetor, ‘Camp Nou’ të jetë gati për të pritur ndeshjen e parë europiane të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: