Romelu Lukaku nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për dëmtimin e rëndë muskulor në kofshën e majtë, të pësuar gjatë miqësores së Napolit kundër Olympiacos-it. Pas kontrolleve të kryera në Belgjikë, si klubi ashtu edhe sulmuesi belg kanë vendosur të ndjekin një terapi konservative rehabilituese.
Ky proces do ta mbajë Lukakun jashtë fushave për të paktën 3-4 muaj, duke bërë që Napoli të mos e përfshijë atë në listën e lojtarëve për fazën e grupeve të Champions League. Një mungesë e rëndë për skuadrën e Antonio Contes, e cila e kishte parashikuar belgun si një nga pikat kyçe të sulmit.
Mesazhi i Lukakut
Pavarësisht zhgënjimit, “Big Rom” ka zgjedhur të transmetojë pozitivitet. Në një postim në Instagram, ai shkroi:
“Faleminderit të gjithëve për mesazhet këto ditë. Vërtet e vlerësoj mbështetjen tuaj, por këto gjëra ndodhin, dëmtimet janë pjesë e lojës. Me hirin e Zotit ndihem mirë dhe mbetem pozitiv, pavarësisht çfarë do të ndodhë. Shihemi së shpejti.”
Dëmtimi
Sipas komunikatës zyrtare të Napolit, ekzaminimet në spitalin “Pineta Grande” kanë konfirmuar një dëmtim të shkallës së lartë në muskulin rektus femoris të kofshës së majtë. Sulmuesi tashmë ka nisur procesin e rehabilitimit dhe do të monitorohet nga specialistët, duke përfshirë edhe konsultime kirurgjikale, ndonëse për momentin është përjashtuar ideja e operacionit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: