Pep Guardiola vazhdon të mbajë të gjallë kuriozitetin rreth së ardhmes së tij. Trajneri i Manchester City-t, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2027, kishte deklaruar më parë se do të bënte një pauzë pas kësaj periudhe. Megjithatë, në një intervistë të fundit për platformën ‘Men in Blazers’, ai la të kuptohet se mund të qëndrojë më gjatë në “Etihad”.
“Më mbeten edhe dy vite kontratë, ndoshta rinovoj për edhe dy të tjera. Pyetja është se kur do të ndalem, këtë vit, pas dy apo pas katër vitesh… Do të pushoj, por tani për tani ndihem shumë mirë”, tha tekniku katalanas.
Guardiola, i cili ka nisur sezonin e tij të 10-të radhazi në stolin e City-t, theksoi edhe lidhjen e fortë me qytetin e Manchesterit:
“Ky qytet më ka magjepsur. Nëse qëndron diku për 10 vite, është sepse ndihesh mirë. Nuk mund të kërkoj më shumë. Futbolli ka qenë jashtëzakonisht bujar me mua”.
Deklaratat e tij vijnë vetëm pak javë pasi, në një intervistë për GQ Spain, kishte folur për një pauzë të gjatë pasi të largohej nga City. Atëherë, 54-vjeçari kishte lënë të hapur mundësinë që të qëndronte larg futbollit për disa vite, për t’u fokusuar tek vetja.
Me një karrierë të mbushur me trofe dhe me City-n që e ka shndërruar në një nga skuadrat më dominuese të historisë së Premier League-s, e ardhmja e Guardiolës mbetet një nga temat më të nxehta të botës së futbollit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: