Pas një vere me shumë lëvizje në merkato, Liverpooli ka marrë një lajm të rëndësishëm për të ardhmen e një prej ‘yjeve’ të skuadrës. Fabrizio Romano konfirmoi se Federico Chiesa ka shprehur “dëshirë të qartë” për të vazhduar aventurën e tij në “Anfield”, duke i dhënë fund spekulimeve për një rikthim të mundshëm në Itali.
Sipas gazetarit të njohur italian, Chiesa dhe agjenti i tij i kanë komunikuar klubit se synimi është të qëndrojë, duke hapur kështu një kapitull të ri pas një vere të trazuar. Fillimisht, lojtari kishte menduar largimin, sidomos pasi u la jashtë turit aziatik dhe Liverpool refuzoi ofertat për Luis Diaz. Megjithatë, me kalimin e Diaz te Bayern Munich, hapësirat për Chiesën janë shtuar dhe protagonizmi i tij duket i garantuar.
Italiani i dha menjëherë përgjigje në fushë. Në ndeshjen hapëse të Premier League kundër Bournemouth, ai shënoi golin vendimtar në minutën e 88-të, duke i dhënë Liverpool-it një fitore 4-2 dhe duke konfirmuar rëndësinë e tij në skemën e trajnerit të ri, Arne Slot.
Edhe vetë tekniku holandez e ka bërë të qartë se dëshiron ta mbajë Chiesën. Pas ndeshjes, i pyetur për arsyen pse tifozët e Liverpool e kanë përqafuar kaq shpejt lojtarin italian, Slot theksoi:
“Federico ka një histori të madhe. Ka qenë protagonist në triumfin e Italisë në Euro 2021 dhe pak lojtarë italianë zgjedhin të shkojnë në Premier League. Ky vendim i tij për të ardhur në Angli e bëri menjëherë të dashur për tifozët.”
Ndërkohë, Liverpool ka vijuar spastrimet në skuadër. Përveç largimit të Diaz, edhe Ben Doak është transferuar te Bournemouth me një klauzolë riblerjeje. Këto lëvizje i japin edhe më shumë peshë Chiesa-s, i cili tashmë shihet si një nga liderët e rinj të skuadrës së Slot.
Në “Anfield” mbizotëron optimizmi: Chiesa është gati të shkruajë faqen e tij në historinë e klubit, me synimin që të rikthejë Liverpool-in në garën për titull.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: