Fillimi i sezonit për Olympique de Marseille është kthyer në një situatë të ndërlikuar. Pas humbjes befasuese në fushën e Rennes, ku ekipi i Roberto De Zerbit pësoi golin vendimtar në minutën e 91-të, pavarësisht se luante me një lojtar më shumë për më shumë se një orë, tensioni shpërtheu në dhomat e zhveshjes.
Sipas RMC Sport, protagonistë të një debati të ashpër verbal ishin Adrien Rabiot dhe Jonathan Rowe. Dyshja shkëmbyen fjalë të rënda, duke e përshkallëzuar situatën, edhe pse pa u kthyer në përplasje fizike. Pas ngjarjes, klubi mori një vendim të menjëhershëm: të dy lojtarët janë përjashtuar përkohësisht nga ekipi.
Ky hap shihet si një mesazh i qartë disipline, jo vetëm për Rabiot e Rowe, por për gjithë skuadrën, me synim rikthimin e qetësisë dhe harmonisë brenda grupit. Për momentin nuk është përcaktuar kohëzgjatja e këtij përjashtimi, por pritet që të jetë një masë e përkohshme.
Nuk përjashtohet mundësia që të dy lojtarët të detyrohen të bëjnë një gjest simbolik “faljeje”, për të treguar pendesë pas incidentit të ndodhur në ‘Roazhon Park’.
Një fillim i trazuar për De Zerbin, që tashmë duhet të menaxhojnë jo vetëm rezultatet në fushë, por edhe tensionet e brendshme që kanë dalë në pah pas kësaj humbjeje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: