Ndeshja e javës së parë në Superligën e Kosovës mes Gjilanit dhe Ballkanit përfundoi pa fitues, me rezultatin 1-1, falë një goli fantastik të Marcel Ismajlgecit, që u mohoi fitoren vendasve.
Ballkani nisi më mirë dhe tentoi të rrezikonte që në minutat e para me një goditje të lirë. Megjithatë, ishte Gjilani që gjeti golin e parë të takimit. Në minutën e 28-të, pas një faulli ndaj Almir Aganspahiç, Gjilani fitoi penallti dhe vetë Aganspahiç nuk gaboi nga pika e bardhë, duke shënuar golin e parë të sezonit.
Ballkani reagoi shpejt, ku Almir Kryeziu provoi me një goditje të fortë në minutën e 32-të, por portieri Vokli Laroshi grushtoi topin me siguri. Vendasit patën gjithashtu një rast ideal në fund të pjesës së parë, por intervenimi i portierit mysafir e mohoi golin.
Me fillimin e pjesës së dytë, Ballkani rriti presionin dhe në minutën e 66-të, Marcel Ismajlgeci realizoi një gol spektakolar me një gjuajtje fluturimthi nga 25 metra, duke e barazuar rezultatin në 1-1.
Në minutat e mbetura, portierët Iljazi dhe Laroshi bënë ndërhyrje të mira për të mos lejuar golin e dytë te asnjëra skuadër. Ritmi i ndeshjes u ul për shkak të ndërprerjeve dhe kërkesave për ndihmë dhe takimi përfundoi me barazim.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: