Paris Saint-Germain e nisi mbrojtjen e titullit në Ligue 1 me një fitore minimale 1-0 ndaj Nantes, falë golit të Vitinha-s në minutën e 67-të. Pas suksesit në Superkupën e Europës, Luis Enrique bëri disa rotacione duke lënë në stol emra të mëdhenj si Dembélé, Kvaratskhelia dhe Hakimi, ndërsa u dha hapësirë lojtarëve që kërkojnë më shumë minuta.
Nantes, nën drejtimin e ri të Luís Castro-s, u shfaq e organizuar dhe kufizoi PSG-në në fillim të lojës, duke u afruar edhe me disa raste përmes Benhattab. Parisienët dominuan në zotërimin e topit, por pa krijuar shumë raste të pastra, ndërkohë që Ramos goditi traversën në një prej mundësive më të mira.
Në pjesën e dytë, Enrique hodhi në fushë lojtarët kryesorë, dhe pikërisht pas një aksioni të Mendes erdhi edhe goli i vetëm i ndeshjes, me goditjen e Vitinha-s që u devijua nga Awaziem. PSG shënoi për herë të 29-të radhazi kundër Nantes, ndërsa një gol i dytë i Ramos u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.
Edhe pse nuk bindën me lojën e tyre, kampionët e Francës treguan cilësi dhe siguruan tri pikë të rëndësishme në startin e sezonit. Nantes luftoi me vendosmëri, por zgjodhi më shumë mbrojtjen se sa iniciativën, duke zgjatur serinë pa fitore kundër PSG-së në tetë ndeshje radhazi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: