Sipas raportit më të fundit të Brand Finance, që mat vlerën e markave të klubeve të futbollit në nivel global, klubet e mëdha të Serisë A vazhdojnë të mbeten larg gjigantëve të Europës.
Interi ka shënuar një rritje prej 5% në vlerën e markës, Milani ka mbetur i qëndrueshëm, ndërsa Juventusi ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 13%. Pavarësisht këtyre lëvizjeve, asnjë klub italian nuk arrin të kapë vlerën prej 1 miliard eurosh, gjë që e vendos Serinë A në disavantazh të qartë krahasuar me kampionatet e tjera të mëdha.
Në krye të listës botërore qëndron Real Madridi me një vlerë prej 1.9 miliardë eurosh (+14%), i ndjekur nga Barcelona me 1.7 miliardë (+11%). Të dyja kanë marrë vlerësimin maksimal AAA+ për forcën e brandit. Në krahasim, Juventusi vlerësohet me 505 milionë euro, Interi me 479 milionë dhe Milani me 401 milionë, të tre jashtë “top-10”-shes europiane, me një indeks force dukshëm më të ulët (85/100 Juve, 82/100 Inter, 81/100 Milan).
Raporti evidenton gjithashtu një rritje për disa klube të tjera italiane: +11% për Napolin, +15% për Romën dhe +9% për Bolognën.
Lorenzo Coruzzi, drejtor i vlerësimeve te Brand Finance, thekson se futbolli italian ndodhet në një fazë të thellë transformimi:
“Seria A mbetet një ligë prestigjioze me trashëgimi të pasur, por është e vetmja nga pesë kampionatet kryesore që nuk ka asnjë brand me vlerë mbi një miliard euro. Ky është një sinjal i qartë për nevojën e forcimit të konkurrueshmërisë komerciale.”
Sipas tij, një tjetër faktor negativ është edhe performanca e dobët e kombëtares italiane, e cila rrezikon të humbasë pjesëmarrjen në Botërorin e tretë radhazi. Vetëm 24% e italianëve e shohin sot skuadrën kombëtare si ambicioze dhe konkurruese, përqindja më e ulët mes kombeve të mëdha evropiane, duke reflektuar një shkëputje të ndjeshme mes tifozëve dhe ekipit.
Në përfundim, raporti sugjeron që klubet italiane duhet të investojnë më shumë në ndërtimin dhe promovimin e markave të tyre, nëse duan të afrohen me gjigantët e futbollit europian.
Pikat kryesore:
Premier League është liga më e vlefshme e futbollit në botë, me vlerën e kombinuar të dhjetë markave të saj më të mira që kalon mbi 8 miliardë euro.
Kërkimi i Brand Finance ka zbuluar se tifozët e Premier League në Mbretërinë e Bashkuar janë ndër më të angazhuarit: 90% ndjekin ndeshjet në TV, 51% blejnë produkte zyrtare, dhe 56% vendosin baste.
Manchester City ka rënë në vendin e tretë më të vlefshëm në vitin 2025, me vlerën e markës që ka rënë me 11%, në 1.4 miliardë euro.
Paris Saint-Germain (PSG) tani është ndër pesë markat më të vlefshme globalisht, pas një rritjeje prej 13% të vlerës së markës, duke arritur 1.4 miliardë euro.
FC Bayern Munich (me një rritje prej 1% në 1.3 miliardë euro) është marka më e vlefshme e futbollit në Gjermani dhe renditet e 6-ta globalisht.
Shtatë marka klubesh futbolli kanë arritur vlerësimin elitar AAA+, përfshirë katër nga Premier League.
Manchester United dhe Bayern Munich kanë ndjekjen më të madhe ndërkombëtare të tifozëve, sipas një studimi global.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: