Drita synon mbrëmjen historike ndaj FCSB-së, Ballkani në Irlandë për të ruajtur epërsinë ndaj Shamrock Rovers

Drita synon mbrëmjen historike ndaj FCSB-së, Ballkani në Irlandë për të ruajtur epërsinë ndaj Shamrock Rovers

08:58, 14/08/2025

Gjilani është gati për një natë të madhe futbolli. Kampionia e Kosovës, Drita, do të përballet sonte me gjigantin rumun FCSB në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Ligës së Evropës, duke kërkuar një fitore që mund të vulosë një kualifikim historik për klubin.

Pas paraqitjes së shkëlqyer në Bukuresht, ku gjilanasit ishin në epërsi 0-2 përpara se të pësonin një përmbysje të dhimbshme 3-2, gjithçka mbetet e hapur. Një fitore minimale mund të mjaftojë për të kaluar më tej (duke shpresuar edhe te fati në goditjen e 11-metërshave), por përballë do të jetë një skuadër me përvojë të madhe europiane, e cila do të bëjë gjithçka për të ruajtur avantazhin.

Lajm pozitiv për Dritën është rikthimi në formacion i sulmuesit Liridon Balaj pas pezullimit. Ai pritet të jetë një armë shtesë në repartin ofensiv. Mungesa e vetme do të jetë ajo e mbrojtësit kolumbian, Juan Camilo Mesa.

Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në “Fadil Vokrri”, ku nga ora 20:00 tifozët vendas do të jenë lojtari i dymbëdhjetë për skuadrën e Ardian Nuhiut. Sot, Drita nuk luan vetëm për një fitore, luan për historinë.

Image

Edhe Ballkani do të zbresë sonte në fushë për një sfidë vendimtare në Ligën e Konferencës, teksa përballet me Shamrock Rovers në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë. Pas fitores minimale 1-0 në “Fadil Vokrri”, nënkampioni i Kosovës është vetëm një hap larg kualifikimit historik.

Takimi zhvillohet në “Tallaght Stadium” të Dublinit, ku vendasit do të kenë mbështetjen e tifozëve të tyre dhe shpresojnë për një përmbysje të madhe. Ndërkohë, skuadra e Orges Shehit synon të administrojë epërsinë e një goli, duke luajtur me kujdes dhe duke shfrytëzuar armët e saj më të forta: lojën e disiplinuar dhe tranzicionet e shpejta.

Shamrock Rovers pritet të hyjë fuqishëm në lojë që nga fillimi, duke kërkuar golin e hershëm për të ushtruar presion, ndërsa Ballkani do të kërkojë të shfrytëzojë çdo hapësirë për të goditur në kundërsulm.

Me fillim nga ora 21:00, kjo ndeshje pritet të ofrojë emocion dhe tension deri në fund, me një biletë për raundin tjetër që do të vendoset nga detaje të imëta. Ballkani është vetëm një hap larg suksesit dhe sonte në Dublin do të kërkojë ta bëjë realitet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco