Rrogozhina po jeton orë të zjarrta futbolli. Sot, ora 21:00, në 'Egnatia Arena', Egnatia zbret në fushë për të luajtur ndoshta ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj, teksa përballet me Olimpijan e Ljubljanës në ndeshjen e kthimit. Pas barazimit 0-0 në Slloveni, gjithçka është e hapur dhe një fitore minimale do të mjaftonte për ta dërguar kampionen e Shqipërisë më thellë se kurrë më parë në kompeticionet europiane.
Egnatia ka kaluar momente të mëdha gjatë viteve të fundit: titulli kampion, debutimi në arenën ndërkombëtare dhe kalimi i disa tureve kualifikuese. Megjithatë, kjo përballje shënon një kapitull të ri: mundësinë për të kaluar nga statusi i një surprize simpatike, në një klub me peshë dhe emër në futbollin kontinental.
Barazimi në transfertë ishte një hap i madh, sidomos pas zhgënjimit të eliminimit nga Breidablik në Ligën e Kampioneve. Tani, vetëm 90 minuta e ndajnë Egnatian nga një arritje që deri pak kohë më parë dukej e paarritshme. Modeli është i qartë: një fitore 1-0, si ato ndaj Breidablik dhe Dinamo Minsk, rezultat që tashmë është kthyer në “firmën” e skuadrës në Europë.
Në këtë mbrëmje vendimtare, çdo aksion, çdo duel dhe çdo gol ka peshën e historisë. Për lojtarët, stafin dhe tifozët, kjo është më shumë se një ndeshje futbolli, është mundësia për të shkruar me gërma të arta emrin e Egnatias në librin e madh të futbollit shqiptar dhe europian. Tetova dhe djemtë e tij e dinë mirë: sot, Rrogozhina mund të bëjë historinë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: