Barcelona ka zyrtarizuar largimin e mbrojtësit qendror, Iñigo Martínez, dy vite pas mbërritjes së tij në “Camp Nou”. Klubi katalanas e falënderoi lojtarin për “profesionalizmin, përkushtimin, përpjekjen dhe angazhimin” e treguar gjatë këtyre dy sezoneve.
Martínez kishte nisur aventurën te Barça me 25 ndeshje në sezonin debutues, ndërsa në sezonin e kaluar shpërtheu në formë, duke formuar një dyshe solide me Pau Cubarsí. Nën drejtimin e Hansi Flick, ai regjistroi 46 paraqitje dhe u bë një prej shtyllave kryesore të mbrojtjes së avancuar të preferuar nga trajneri gjerman.
Gjatë periudhës së tij në Barcelonë, 34-vjeçari fitoi një La Liga, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës. Sipas medieve, pas prishjes me marrëveshje të kontratës së rinovuar sezonin e kaluar, destinacioni i radhës për Martínez pritet të jetë Al Nassr-i i Jorge Jesus, ku do të luajë përkrah Cristiano Ronaldos dhe João Félix-it.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: