Deri më tani, Borussia Dortmund ka bërë vetëm një blerje për sezonin 2025-26 që po afron: ka paguar 30.5 milionë euro te Sunderland për Jobe Bellingham, vëllai i Jude Bellingham. Përveç tij, nuk ka pasur asnjë përforcim tjetër në skuadër.
Sipas gazetës ‘Bild’, arsyeja e këtij investimi të ulët nuk është sportive, por e lidhur me kushtet jashtë fushës. Dortmundi është detyruar të shpenzojë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për rinovimin e kuzhinës në stadiumin “Signal Iduna Park”. Ky riparim kushton rreth 11 milionë euro, që përbën një të pestën e buxhetit total të klubit.
Ky investim u bë pas një inspektimi shëndetësor vitin e kaluar, ku u konstatuan se struktura e kuzhinës ishte “e vjetëruar dhe e paautorizuar”, duke kërkuar përmirësime urgjente. Drejtuesit e Dortmundit vendosën t’i jepnin prioritet përmirësimit të ambienteve të stadiumit për të përmbushur normat sanitare, çka ka kufizuar lëvizjet në merkato.
Për të mundësuar blerje të reja, drejtuesit e klubit po përpiqen të zhbllokojnë “operacionin dalje”, duke kërkuar të shesin lojtarë me paga të larta. Në qendër të kësaj strategjie janë mbrojtësi Niklas Süle dhe mesfushori Julian Brandt, për të cilët po kërkohet destinacion i ri.
Mungesa e likuiditetit e detyroi Dortmundin që në fillim të verës të shiste Gittens te Chelsea për 56 milionë euro, një goditje e rëndësishme për bilancin financiar të klubit.
Në këtë mënyrë, klubi i njohur gjerman po përpiqet të balancojë nevojat financiare dhe sportive, duke synuar stabilitet dhe përforcime të arsyeshme në të ardhmen.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: