New York-u po përgatitet për edicionin e këtij viti të US Open në kushte atmosferike tepër të vështira. Një valë e fuqishme e të nxehtit pritet të rrisë temperaturat mbi 38°C në Billie Jean King National Tennis Center, duke e kthyer turneun në një sfidë ekstreme për sportistët dhe publikun. Organizatorët kanë aktivizuar një protokoll të posaçëm për të mbrojtur lojtarët dhe tifozët nga rreziku i dehidratimit dhe goditjeve nga dielli.
Diferenca nga vitet e tjera është e dukshme: në vitin 2021, turneun e ndërpreu uragani Ida, ndërsa këtë herë kërcënimi vjen nga një diell përvëlues që mund të ngrejë temperaturën në fusha mbi 50°C në orët e paradites. Arbitri kryesor, Jake Garner, pranoi se monitorimi i kushteve klimatike është i vazhdueshëm: “Kontrolloj raportet e motit më shpesh nga sa do të doja”, tha ai.
Për të zbutur efektin e diellit, stadiumet Arthur Ashe dhe Louis Armstrong do të mbajnë pjesërisht të mbyllur çatitë e tyre tërheqëse edhe në mungesë shiu. Gjithashtu, është në përdorim sistemi WetBulb Globe Temperature (WBGT), i cili kur kalon nivelin 30°C, detyron pushime shtesë prej 10 minutash mes seteve, zona të posaçme për freskim dhe hijezim të pjesshëm në fusha.
Rreziku nuk është vetëm teorik. Në 2023, Daniil Medvedev paralajmëroi në mënyrë tronditëse: “Një lojtar do të vdesë dhe ju do ta shihni”, duke iu referuar kushteve ekstreme. Edhe Diego Schwartzman e Paula Badosa kanë kërkuar ndryshime në oraret e ndeshjeve, duke preferuar zgjerimin e sesioneve të natës dhe anulimin e përballjeve gjatë orëve më të nxehta.
As publiku nuk është jashtë rrezikut. Organizatorët po shpërndajnë ventilatorë portativë, çadra falas dhe kanë shtuar pikat e ujit të pijshëm në të gjithë kompleksin, ndërsa këshillat mjekësore janë të qarta: hidratohuni, shmangni diellin direkt dhe kërkoni hije sa më shpesh.
Ekspertët, megjithatë, paralajmërojnë se masat aktuale mund të mos mjaftojnë për të përballuar një problem klimatik që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë. Sipas ekologes sportive Madeleine Orr, zgjidhja afatgjatë do të ishte zhvendosja e turneve të mëdha jashtë periudhave të nxehtësisë ekstreme, siç ndodhi me Botërorin e Katarit. Por për momentin, interesi ekonomik dhe traditat sportive e bëjnë këtë ndryshim të vështirë, ndaj organizatorët po mbështeten kryesisht te zhvillimi i ndeshjeve gjatë mbrëmjes, kur temperaturat bien dhe spektakli mbetet i garantuar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: