Erik Ten Hag, trajneri aktual i Bayer Leverkusen, është rikthyer në Angli për një ndeshje miqësore kundër Chelsea-t, e cila përfundoi me fitoren 2-0 të londinezëve. Pas ndeshjes, holandezi u pyet për periudhën kur drejtonte Cristiano Ronaldon te Manchester United në vitin 2022, një kohë e shoqëruar me polemika që përfunduan me largimin e yllit portugez drejt Al Nassr-it.
“Për mua nuk ka qenë problem. Kurrë nuk ka qenë problem. Ajo është e shkuar. Ishte diçka që ndodhi dhe mbeti në të kaluarën. Fituam dy trofe me Manchester United. I uroj më të mirat klubit për të ardhmen, ashtu si edhe Ronaldos,” u shpreh Ten Hag.
Deklaratat e tij vijnë pas kritikave që Ronaldo kishte bërë në shtator të vitit 2024, kur në një intervistë me Rio Ferdinand, e kishte qortuar ish-trajnerin e tij për deklaratat se United nuk mund të luftonte për Premier League apo Champions League. “Si trajner i Manchester United nuk mund të thuash që nuk do të luftosh për t’i fituar këto trofe. Duhet të kesh mentalitetin për ta thënë: ‘Ndoshta nuk kemi potencialin, por do të provojmë’. Duhet të provosh,” kishte theksuar CR7 në atë kohë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: