Bayerni i Mynhut ka njoftuar se do të heqë nga fanellat dhe materialet zyrtare logon e sponsorit “Visit Rwanda”, duke u tërhequr nga një marrëveshje sponsorizimi me shtetin afrikan, pas reagimeve të ashpra të tifozëve.
Klubi gjerman kishte firmosur një kontratë pesëvjeçare me Ruandën në vitin 2023, e cila parashikonte promovimin turistik të vendit nëpërmjet platformës “Visit Rwanda”. Megjithatë, një pjesë e tifozëve kanë shprehur kundërshtimin e tyre, duke denoncuar shkelje të supozuara të të drejtave të njeriut nga qeveria ruandeze dhe duke iu referuar akuzave të Kombeve të Bashkuara se Ruanda ka mbështetur rebelët në vendin fqinj, Kongo.
Në deklaratën e publikuar, Bayerni sqaroi se marrëveshja nuk do të ndërpritet plotësisht, por do të pësojë një ndryshim të madh në fokus. Nga një sponsorizim komercial, bashkëpunimi do të shndërrohet në një projekt që do të ketë si objektiv kryesor zhvillimin e futbollit për të rinjtë në Ruandë, duke investuar në infrastrukturë dhe programe trajnimi për talentet vendase.
Ky vendim shihet si një përpjekje e klubit për të balancuar marrëdhëniet e tij ndërkombëtare me ndjeshmërinë e tifozëve, duke shmangur polemikat dhe duke ruajtur imazhin e Bayernit si një klub që respekton vlerat dhe përgjegjësinë shoqëror© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: