Trajneri i Egnatias pas barazimit në Slloveni: Rezultat pozitiv, besojmë te kualifikimi

Trajneri i Egnatias pas barazimit në Slloveni: Rezultat pozitiv, besojmë te kualifikimi

11:31, 08/08/2025

Egnatia vazhdon të shkruajë historinë në arenën europiane. Klubi rrogozhinas doli me një barazim të vlefshëm nga transferta ndaj Olimpija Ljubljanës, në ndeshjen e parë të turit të tretë të Ligës së Konferencës.

Skuadra shqiptare zhvilloi një ndeshje të kujdesshme dhe me shumë pjekuri taktike në stadiumin “Stozice”, duke mbajtur të paprekur portën dhe duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në shtëpi.

Pas përfundimit të takimit, trajneri Edlir Tetova u shpreh i kënaqur me mënyrën se si skuadra i përballoi 90 minutat ndaj një kundërshtari me përvojë ndërkombëtare.

“Një ndeshje e vështirë dhe kemi një rezultat pozitiv për ndeshjen e kthimit. Olimpija është një ekip i mirë, por jemi optimistë se do të kualifikohemi”, deklaroi Tetova për mediat.

Pavarësisht se vendasit patën disa raste të rrezikshme, përfshirë edhe një penallti të humbur nga sulmuesi estonez Aleks Tam në minutën e 67-të, Egnatia nuk u tërhoq dhe tregoi karakter, sidomos në fazën mbrojtëse, duke përballuar me qetësi presionin.

Në fund të ndeshjes, edhe teknologjia VAR hyri në lojë, duke anuluar një tjetër penallti të dhënë për Olimpija në minutën e 97-të.

Ky vendim konfirmoi fatin pozitiv të rrogozhinasve në këtë mbrëmje europiane.

Sfida e kthimit do të zhvillohet më 14 gusht, në stadiumin “Egnatia Arena”, ku mbështetja e tifozëve pritet të jetë një armë shtesë për të synuar kualifikimin në “play off”-in e Ligës së Konferencës.

Nëse arrin të kalojë Olimpijan, Egnatia do të përballet me humbësin e çiftit Lincoln (Gjibraltar) – Noah (Armeni), duke pasur kështu një shans real për të bërë historinë dhe për të prekur fazën e grupeve.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco