Matteo Materazzi përballë sëmundjes së pamëshirshme: Nuk kam shpresë, por dua të jetoj

Matteo Materazzi përballë sëmundjes së pamëshirshme: Nuk kam shpresë, por dua të jetoj

17:28, 07/08/2025

Ish-futbollisti dhe menaxheri sportiv italian, Matteo Materazzi, ka rrëfyer me ndershmëri e dhimbje për betejën e tij me sklerozën laterale amiotrofike (SLA), një sëmundje progresive dhe fatale që po i rrëmben dita-ditës lirinë trupore. Në një intervistë prekëse për “La Repubblica”, ai ka folur për gjendjen e tij aktuale, për sfidat e përditshme, për familjen, për shpresën, edhe kur ajo mungon, dhe për nismën e tij humanitare.

“Sot kam nevojë për ndihmë për gjithçka: për të bërë dush, për të shkuar në tualet, për të ngrënë. Ende i lëviz duart, por nuk mund ta ngre krahun. Kjo është një sëmundje e ligë, që të merr pak nga pak gjithçka,” rrëfen Materazzi, 49 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në Porto Taverna të Sardenjës, një vend me vlera të veçanta emocionale për të dhe familjen e tij.

Matteo është vëllai i Marco Materazzit, kampion bote me Italinë në vitin 2006, dhe djali i trajnerit të njohur Beppe Materazzi. Ai kujton me dhimbje humbjen e nënës kur ishte vetëm 13 vjeç dhe vendimin për t’ua treguar që në fillim fëmijëve të tij, Geremia dhe Gianfilippo, të vërtetën për sëmundjen, që të mund ta përballojnë më mirë.

“Me sëmundjen time është e ndaluar të shpresosh, por unë dua të jetoj,” thotë ai. “Mendoj për ata që nuk mund të përballojnë shpenzimet për të pasur një jetë dinjitoze.”

Pavarësisht raportit të vështirë me të vëllanë Marco, dyshja po përpiqet të rilidhin marrëdhënien. Marco po planifikon një ndeshje bamirësie në ‘Olimpico’, mes kampionëve të Italisë 2006 dhe një skuadre All-Star të ish-lojtarëve të huaj.

Objektivi i tyre është të mbledhin fonde për kërkimin shkencor. Një projekt, në bashkëpunim me dy familje të tjera italiane,  që synon të financojë një ASO (fragment gjenetik artificial) që mund të frenojë sëmundjen. Columbia University ka kërkuar 1.5 milionë euro, ndërsa një laborator në San Diego 1 milion për zhvillimin e një ilaçi që më pas mund të sintetizohet në Itali.

Deri tani janë mbledhur 200 mijë euro. “Faleminderit Antonio Contes dhe gruas së tij, Simone Inzaghit dhe Gaies, dhe çdokujt që dha edhe pesë euro,” tha ai. “Ibrahimoviç më shkroi, më dërgoi një mesazh dhe më dha forcë.”

Por mesazhi që e preku më shumë ishte ai i Giusppe Pancaro-s. “Kishim pasur probleme, por ai i kaloi. Ashtu si shumë të tjerë.”

Në fund, kur pyetet nëse ka ende shpresë brenda vetes, ai përgjigjet: “Me këtë sëmundje, shpresa më është ndaluar. Por përpiqem të jetoj sa më shumë që të mundem. Dhe natën, ende ëndërroj se po vrapoj.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco