Magnus Carlsen shkëlqen edhe në botën e videolojërave, kampion bote në Esports

Magnus Carlsen shkëlqen edhe në botën e videolojërave, kampion bote në Esports

17:19, 07/08/2025

Magnus Carlsen ia ka dalë sërish. Gjeniu norvegjez i shahut ka treguar se talenti dhe dominimi i tij nuk njohin kufij, as në formatin klasik, as në atë dixhital. Kësaj radhe, ai është shpallur kampion bote në Esports, në Kupën e Botës të mbajtur në Riad të Arabisë Saudite, duke fituar jo vetëm lavdi të re, por edhe një çmim marramendës prej 250 mijë dollarësh.

Në një turne që e shndërroi shahun në spektakël të ngjashëm me titujt e famshëm si League of Legends, Call of Duty apo Dota 2, Carlsen dominoi si gjithmonë. Fitorja e tij në finale ndaj Alireza Firouzja-s, një tjetër fenomen i shahut modern, ishte një demonstrim i pastër superioriteti, aq sa në disa raste, Carlsen luajti me një vetëbesim që ngjante thuajse tallës.

Nga tabela klasike te tastiera, kampion i çdo forme

Në skenën moderne dhe madhështore të ndërtuar në Riad, me drita, ekranë gjigantë dhe mijëra tifozë që brohorisnin çdo lëvizje, shahu u transformua në një eSport të vërtetë. Carlsen, i pajisur ‘mouse’-in dhe tastierën, tregoi të njëjtën saktësi dhe zgjuarsi që e ka bërë të pathyeshëm në tavolinat klasike.

Turneu nuk ishte pa polemika: disa gabime teknike në platformat dixhitale, si një lëvizje e gabuar me mouse-in, që i kushtoi një ndeshje polakut Jan-Krzysztof Duda, ndezën diskutimet mes puristëve, të cilët theksojnë se shahu duhet të vlerësohet për mendjen dhe dorën, jo për aftësinë për të klikuar saktë.

Image

Shah i ri për një botë të re

Turneu i Riadit është pjesë e një trendi në rritje: "lojëzimi" i shahut. Kjo nuk është hera e parë që ky sport evoluon drejt formateve hibride. Evente si Freestyle Chess, të zhvilluara në qytete si Las Vegas, kanë eksperimentuar më herët. Por Arabia Saudite e çoi gjithçka në një tjetër nivel, duke e integruar plotësisht shahun në ekosistemin e videolojërave profesionale.

Natyrisht, kjo lëvizje saudite ka ngjallur kritika për t’u perceptuar si një formë e “sportswashing”, përdorimi i sportit për të përmirësuar imazhin politik ndërkombëtar. Por diskutimi i vërtetë shkon përtej: A mundet shahu të ruajë thelbin e tij tradicional ndërkohë që kthehet në një spektakël masiv?

Për Magnus Carlsen, përgjigjja duket se është e thjeshtë: po, për sa kohë fiton!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco