Vetëm tetë ditë na ndajnë nga nisja e sezonit të ri në La Liga, por Barcelona vijon të përballet me probleme të mëdha organizative. Skuadra katalanase ende nuk ka arritur të regjistrojë shtatë lojtarë në kampionat, përfshirë blerjet më të reja dhe disa elementë të rëndësishëm për sezonin 2025/26.
Më 16 gusht, Barça do të luajë ndeshjen e parë në transfertë ndaj Mallorca-s, por trajneri Hansi Flick nuk e di ende me siguri se cilët lojtarë do të ketë në dispozicion. Në total, tetë emra mungojnë në listën zyrtare të La Ligës: Joan García, Szczesny, Gerard Martín, Héctor Fort, Bernal, Marcus Rashford, Roony Bardghji dhe Oriol Romeu (i fundit pritet të largohet).
Kriza në portë
Problemi më i madh është në portë. Joan García, i blerë për 25 milionë euro nga Espanyoli, dhe Szczesny, që ka rinovuar së fundmi, nuk janë regjistruar. Në të kundërt, Ter Stegen, me të cilin klubi ka një përplasje për shkak të refuzimit për të nënshkruar autorizimin për raportin mjekësor, dhe Iñaki Peña, që nuk bën pjesë në planet e Flick, janë ende të regjistruar.
Rashford dhe Bardghji, ende jashtë
Në repartin ofensiv, situata nuk është më e mirë. Marcus Rashford, një nga përforcimet më të bujshme të verës, dhe Bardghji, talent premtues, nuk janë ende pjesë e listës së federuar. Rashford shihet si një pikë kyçe në skemat e Flick, ndërsa Bardghji mund të regjistrohet me një kontratë nga ekipi B. Ndërkohë, është kurioz fakti që Ansu Fati vazhdon të figurojë i regjistruar, edhe pse është huazuar te Monaco.
Të rinjtë në pritje
Nga lojtarët e rinj, Gerard Martín, Héctor Fort dhe Bernal gjithashtu nuk janë të regjistruar. Martín është i destinuar të qëndrojë në ekipin e parë dhe ka nevojë për një vend zyrtar. Fort dhe Bernal mund të regjistrohen me ekipin B, por janë pjesë e planeve të Flick, veçanërisht Bernal.
Zgjidhjet në tryezë
Barcelona ka dy rrugë për të zgjidhur këtë ngërç. E para, është të përdorë kartonin e Ter Stegen si zëvendësim nëse ai mungon të paktën katër muaj. E dyta, është miratimi nga auditori dhe më pas nga La Liga për përdorimin e lozhave VIP në "Spotify Camp Nou", që do t'i kthente në fuqi rregullat financiare 1:1, duke i dhënë mundësi klubit të regjistrojë lojtarët e rinj.
Koha po mbaron dhe Flick duhet të ketë sa më parë qartësi për të ndërtuar formacionin e tij për sezonin e ri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: