Ilir Daja ka folur me maturi, por edhe me besim në prag të sfidës së rëndësishme që Dinamo do të zhvillojë ndaj Hajdukut të Splitit në Kroaci. Trajneri i skuadrës shqiptare e pranon epërsinë historike dhe eksperiencën e kundërshtarit, por nuk nguron të theksojë gatishmërinë e ekipit të tij për të dhënë maksimumin.
“E dimë që na pret një ndeshje me koeficient të lartë vështirësie përballë një skuadre me traditë dhe përkrahje të jashtëzakonshme nga tifozët. Por vështirësitë të bëjnë më të fortë dhe do të përpiqemi të tregojmë vlerat tona,” u shpreh Daja.
I pyetur për komentet e Ervin Bulkut, ai u tregua i qartë: “Kam folur personalisht me Bulkun. Secili ka të drejtë të mbështesë një ekip ku ka luajtur, por më e rëndësishme është përballja jonë nesër, jo interpretimet rreth deklaratave të dikujt.”
Për mungesën e Itodos, tekniku e cilësoi një boshllëk të ndjeshëm, por të kuptueshëm në një klub që synon promovimin e talenteve: “Çdo trajner ndien mungesën e një golashënuesi, por duhet të mësohemi me këtë realitet dhe të përshtatim manovrën tonë.”
Daja i shmangu vlerësimeve për ndonjë lojtar të veçantë të Hajdukut, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit kolektiv: “Nëse veçoj një emër, motivoj të tjerët. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në të dy fazat e lojës, pasi Hajduku ka lojtarë cilësorë që mund të të ndëshkojnë në çdo moment.”
Në fund, tekniku pranoi se një barazim do të ishte rezultat pozitiv për Dinamon: “Një 0-0 do na jepte moral për ndeshjen e kthimit. Hajduku është favorit për shkak të historisë, por ne nuk shkojmë të dorëzohemi. Respekti nuk është frikë, do të luajmë futboll dhe do të përballemi denjësisht.”
Sfida e nesërme do të jetë një provë serioze për Dinamon, që kërkon të rikthehet me dinjitet në skenën europiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: