Klubi i Futbollit Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin më të fundit në merkato: Lirim Kastrati është tashmë pjesë e kuqebluve. Lajmi u konfirmua këtë pasdite edhe nga vetë klubi shkodran nëpërmjet një njoftimi zyrtar në faqen e tij.
Një përforcim i rëndësishëm për ekipin e Vllaznisë, që nuk mundi të mbante Bismark, i cili ishte vetëm i huazuar nga Skënderbeu për ndeshjet e Kupave të Europës. Në vend të tij, drejtuesit shkodranë kanë arritur të sjellin në ekip një lojtar me eksperiencë dhe cilësi si Kastrati, që pritet të japë kontribut të menjëhershëm në repartin ofensiv.
Në njoftimin e klubit thuhet:
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se që nga dita e sotme, Lirim Kastrati është zyrtarisht futbollist kuqeblu. Sulmuesi 26-vjeçar, që ka luajtur 17 ndeshje me kombëtaren e Kosovës, pas eksperiencës me ekipe të tilla si Dinamo Zagreb, Lokomotiva Zagreb, Legia Varshavë, Fehérvár dhe Videoton, tashmë do të jetë pjesë e skuadrës tonë.”
Kastrati ka firmosur kontratë njëvjeçare, me të drejtë zgjatjeje edhe për një vit tjetër, në varësi të paraqitjeve.
“Mirë se erdhe në familjen kuqeblu, Lirim!” – përfundon njoftimi i klubit.
Një lëvizje që rrit ndjeshëm ambiciet e Vllaznisë për sezonin e ri.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: