Transferimi i Ardon Jasharit te Milani është një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos kuqezi në vitet e fundit. Pas gati dy muajsh negociata, mesfushori zviceran me origjinë shqiptare ka mbërritur më në fund në Milano, ndërsa Club Brugge do të përfitojë 34 milionë euro, plus 3 milionë bonuse. Një investim i rëndësishëm si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë ekonomik.
Për këtë lëvizje ka folur edhe Fabio Capello, ish-trajneri legjendar i Milanit, i cili në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’ dha përshtypjet e tij për Jasharin:
“E kam parë vetëm në Champions League vitin e kaluar, ndoshta jo mjaftueshëm për të dhënë një gjykim absolut, por më duket një djalë i fortë, një mesfushor me potencial për t’u bërë top-lojtar. Në sytë e mi, është një blerje tipike e Milanit.”
Nëse te tifozët ekziston njëfarë frike për një rast të dytë “De Ketelaere’, pasi edhe ai erdhi nga e njëjta ligë dhe i njëjti klub, Capello mendon ndryshe:
“Jashari më duket i prerë ndryshe. Nuk flas për talentin, por për karakterin. Më është thënë dhe e kam parë edhe vetë në fushë: është një lojtar që nuk trembet. De Ketelaere nuk kishte lëvizur kurrë nga qyteti i tij, ndërsa Jashari është zviceran me rrënjë shqiptare. Janë dy realitete të ndryshme.”
Capello kujton se Jashari tashmë ka provuar të largohet nga “komforti” i vendit të tij dhe të tregojë veten diku tjetër:
“U largua nga Zvicra për në Belgjikë dhe nuk u thye. Përkundrazi, u shpall lojtari më i mirë i kampionatit dhe luajti mirë në Champions. Më duket nga ata lojtarë që kur vjen koha të tregojë karakter, nuk tërhiqet. Mund të jetë zviceran, por i ndihen venat e Ballkanit,” – shton me një buzëqeshje Capello.
Ish-trajneri i njohur kujton lojtarë të tjerë ballkanas që ka stërvitur gjatë karrierës si Boban, Savicevic, Suker e Mijatovic, duke theksuar se në ato rajone nuk mungon vetëm talenti, por edhe refuzimi për të pranuar humbjen.
Capello vlerëson gjithashtu rolin e Igli Tares, drejtori i ri sportiv i Milanit, i cili ka bërë këtë transferim si më të shtrenjtin në karrierën e tij si drejtues:
“Fakti që e zgjodhi Tare, më bind edhe më shumë se është blerja e duhur. Igli e di çfarë kërkohet për të pasur sukses në një klub si Milani. Nuk është nga ata që i lë gjëra rastësie. Dhe jam i sigurt që edhe Massimiliano Allegri e ka aprovuar këtë lëvizje.”
Me afrimet e Jasharit, Modric dhe një drejtim të ri në prapaskenë me Taren, Milani duket se po ndërton një skuadër me jo vetëm cilësi, por edhe personalitet të madh.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: