Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka bërë disa deklarata të forta në një intervistë të dhënë për CNN, ku ka komentuar mbi sezonin e kaluar të Ligës së Kampionëve, rivalitetin me PSG-në dhe formatin e ri të kompeticionit europian. Ndër të tjera, ai shprehu dëshirën për t’u përballur me skuadrën e Luis Enrique-s në sezonin e ri.
“PSG bëri shumë mirë sezonin e kaluar, fitoi Champions League dhe kampionatin francez. Ka një trajner të mirë, një ekip cilësor dhe luan futboll të bukur. Fatkeqësisht, nuk luajtëm kundër tyre,” tha Laporta, i cili u shpreh se do të donte që këtë sezon të përballej me kampionët e Europës për të parë “cilësia e kujt është më e mirë”.
Sipas numrit një të klubit katalanas, Barcelona dhe PSG ishin dy skuadrat që prodhuan futbollin më të bukur sezonin e kaluar: “Të gjithë ata që duan futbollin, janë dakord që ishim dy ekipet më në formë dhe që luajtëm futbollin më të mirë në botë. Shpresoj që këtë sezon të ndeshemi, gjithmonë me respekt për pjesën tjetër të skuadrave. Natyrisht, mund të shfaqet edhe një skuadër tjetër në krye.”
Laporta nuk harroi të përmendë edhe formatin e ri të Champions-it, duke komplimentuar presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin: “E përgëzoj për mënyrën sesi e ka përmirësuar garën. E di që ai e dashuron futbollin dhe jam i sigurt që do të kënaqet duke parë një ndeshje mes Barçës dhe PSG-së.”
Presidenti i “blaugranave” e mbylli me një sinjal të qartë: “Nuk luajtëm finalen kundër PSG-së vitin që shkoi. Shpresoj që këtë herë ta kemi këtë mundësi.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: