Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ka folur gjerësisht për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e klubit zikaltër në një intervistë të gjatë për gazetarin Juan Pablo Varsky në platformën Clank!. Në qendër të bisedës ishin zhgënjimet e sezonit të kaluar, emërimi i trajnerit të ri, Cristian Chivu, dhe ndarja me Simone Inzaghin.
“Na duhej një profil që ishte ‘i shtëpisë’, që njihte ambientin, klubin dhe tifozët. Cristian ka qenë shoku im i skuadrës, ka personalitet dhe e njeh mirë këtë realitet. Është njeriu i duhur për këtë projekt të ri”, tha Zanetti.
Ai zbuloi edhe një tjetër tentativë të klubit: “Donim të kishim edhe Walter Samuel në staf, por përkushtimi i tij me Argjentinën dhe afrimi i Kupës së Botës e bëri të pamundur për të ta pranonte ofertën.”
Duke iu kthyer fundit të sezonit të kaluar, ku Interi nuk fitoi asnjë trofe, Zanetti theksoi se edhe në mungesë të titujve, klubi ka bërë hapa pozitivë: “Në aspektin ekonomik sezoni ishte shumë i mirë, kemi krijuar burime për të përballuar sezonin e ri. Qëllimi ynë është të jemi gjithmonë konkurrues dhe po ia dalim. Nuk fiton gjithmonë, por rëndësi ka të ruash nivelin e lartë sportiv.”
Lidhur me largimin e trajnerit Simone Inzaghi dhe zërat se ai ishte shpërqendruar para finales së Champions League kundër PSG-së në Munih, Zanetti ishte i qartë:
“Në katër vite ai bëri një punë të jashtëzakonshme. Marrëdhënia me të ka qenë gjithmonë e shkëlqyer. Flitet se ishte i shpërqendruar vetëm sepse humbëm. Dua ta falënderoj për gjithçka. Personalisht, më ka lënduar më shumë humbja në finalen e Stambollit kundër City-t.”
Në fund, një koment për Lautaro Martinez dhe reagimin e tij pas Botërorit për Klube: “Ka ndjenjë të fortë përkatësie. Jam i lumtur për rrugëtimin e tij, më kujton fillimet e mia. Pas finales, gjithçka ndodh shumë shpejt, je me mikrofon përpara. E kuptoj. Rëndësi ka të sqarohen gjërat, dhe ashtu ndodhi: me Calhanoglu postuan foto bashkë. Tani jemi të fokusuar te sezoni i ri.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: