Ardon Jashari ka nisur zyrtarisht aventurën e tij si futbollist i Milanit. Mesfushori i përfaqësueses së Zvicrës mbërriti mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Linate-s dhe këtë të mërkurë iu nënshtrua vizitave mjekësore në klinikën "La Madonnina", më pas kreu testet e përshtatshmërisë fizike në "Centro Ambrosiano", për të nënshkruar më pas kontratën në selinë e klubit, "Casa Milan".
Për arsye kohe, Jashari do t’i bashkohet skuadrës kuqezi vetëm të enjten në qendrën stërvitore të Milanello-s, ku do të zhvillojë seancën e parë nën drejtimin e trajnerit Massimiliano Allegri. Mesfushori 22-vjeçar ka zgjedhur të mbajë fanellën me numrin 30.
Marrëveshja mes Milanit dhe Club Brugge u arrit përfundimisht ditën e djeshme. Klubi belg do të përfitojë 34 milionë euro menjëherë dhe deri në 4.5 milionë euro të tjera si bonuse të lidhura me performancën, duke e bërë këtë transferim shitjen më të shtrenjtë në historinë e një klubi belg.
Jashari ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Milanin dhe do të përfitojë 2.5 milionë euro neto në sezon, plus bonuse. Transferimi i tij shihet si një përforcim strategjik për mesfushën, në funksion të rinovimit të skuadrës dhe projektit afatgjatë të kuqezinjve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: