Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, ka dalë me një deklaratë të fortë ndaj Lewis Hamilton-in, duke sugjeruar se shtatë herë kampioni i botës duhet të tërhiqet menjëherë nga gara, pas një serie rezultatesh zhgënjyese me Ferrarin.
Në një intervistë për Daily Mail, Ecclestone, tashmë 94 vjeç, tha:
“Nuk është mashtrues. Por do të ishte duke mashtruar veten nëse vazhdon kështu. Duhet të ndalet tani.”
Sipas tij, Hamilton nuk ka më për çfarë të rrezikojë:
“Ka fituar mjaftueshëm. Shtatë tituj janë më se të mjaftueshëm. Tani është në një fazë të jetës ku nuk ia vlen të rrezikojë shëndetin, për të mos përfunduar dy vjet në shtrat me ndonjë frakturë apo aksident të rëndë.”
Hamilton, i cili mbushi 40 vjeç, iu bashkua Ferrarit këtë sezon pas 12 vitesh te Mercedesi, ku fitoi gjashtë nga shtatë titujt e tij të lavdishëm. Megjithatë, aventura e tij me "Kokëkuqen" ka nisur dobët, përveç fitores në Kinë, britaniku ka qenë në hije krahasuar me shokun e skuadrës, Charles Leclerc, dhe në Çmimin e Madh të Hungarisë fundjavën e kaluar, përfundoi në vendin e 12-të.
Pas kualifikimeve në Hungari, Hamilton u shpreh i dëshpëruar, duke thënë se “u ndjeva i padobishëm”, madje la të kuptohej se Ferrari duhet ta zëvendësojë.
Ecclestone shtoi:
“Lewis është i lodhur. Ka bërë këtë gjë gjatë gjithë jetës. Ka nevojë për një pauzë të plotë, për t’u shkëputur dhe për të bërë diçka krejt tjetër. Mund të mos e mendojë tani, por do të mësohet shpejt me një jetë jashtë garave.”
Pavarësisht se kontrata e Hamilton-it me Ferrarin është për tri sezone, ish-bosi i F1 sugjeroi se nëse ai do të ishte menaxheri i tij, do të negocionte me Ferrarin për të tërhequr Hamiltonin në mënyrë dinjitoze.
Deklarata e Ecclestone ka nxitur debat në botën e motorsportit, teksa shumë e konsiderojnë fundin e epokës së një prej pilotëve më të mëdhenj në historinë e Formula 1.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: