Milani ka arritur marrëveshjen përfundimtare për transferimin e mesfushorit Ardon Jashari, për të cilin do të paguajë shumën 34 milionë euro + 3 milionë në formë bonusesh, duke iu afruar shumë kërkesës fillestare të Club Brugge prej afro 40 milionë eurosh.
Lojtari me prejardhje shqiptare pritet të mbërrijë nesër në Milano për të kryer vizitat mjekësore, përpara se të zyrtarizohet si përforcimi më i ri i skuadrës kuqezi. Vendimtar në këtë transferim ishte vullneti i hekurt i Jasharit, i cili refuzoi çdo ofertë tjetër, përfshirë ato nga Premier League dhe klubet arabe, për të veshur vetëm fanellën e Milanit.
Brugge dorëzohet, presioni i Jasharit dhe Milanit triumfon
Club Brugge e kuptoi se nuk mund të mbante më një lojtar që kishte shpallur hapur dëshirën për t’u larguar dhe që kërkonte vetëm Milanin si destinacion. Në javët e fundit, Jashari ka bojkotuar stërvitjet kolektive, është stërvitur i vetëm dhe nuk është grumbulluar në ndeshjet zyrtare të klubit, përfshirë përballjen e nesërme të Champions League kundër Salzburgut.
Për Milanin, çelësi i marrëveshjes ishte rritja e fundit në ofertën fikse nga 33.5 në 34 milionë euro, si dhe ristrukturimi i bonusit, që u dhanë impuls final negociatave.
Gati për debutim në Angli
Pas vizitave mjekësore, Jashari do të jetë i disponueshëm për dy miqësoret e radhës të Milanit në Britani kundër Leeds United dhe Chelsea-t, që zhvillohen këtë fundjavë. Me këtë transferim, Milani siguron një profil mesfushori modern, luftarak dhe me vizion, një përforcim që pritet të bëjë diferencën në mesin e fushës për skuadrën e trajnerit Allegri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: