Gjyqi ‘Maradona’, avokatët e mjekut me strategji te re

Gjyqi ‘Maradona’, avokatët e mjekut me strategji te re

16:30, 05/08/2025

Procesi gjyqësor për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona, vazhdon të sjellë zhvillime të reja. Avokatët e mbrojtjes së Leopoldo Luque, mjek personal i Maradonës dhe një nga tetë të pandehurit për vdekjen e tij në nëntor të vitit 2020, kanë kërkuar zyrtarisht përjashtimin e dy prej tre gjyqtarëve të caktuar për procesin e ri gjyqësor.

Pas anulimit të procesit të mëparshëm për shkak të një skandali që përfshiu gjykatësen Julieta Makintach, e cila rezultoi të kishte marrë pjesë në mënyrë të fshehtë në një dokumentar mbi rastin, çështja duhej të rifillonte me një trupë të re gjykuese. Por tani, mbrojtja vë në dyshim paanësinë e gjyqtarëve Roberto Gaig dhe Juan Pablo Rolón, duke u bazuar në qëndrimet e tyre gjatë një seance paraprake të zhvilluar në korrik.

Sipas avokatëve, veprimet dhe deklaratat e këtyre gjyqtarëve ‘ngjallin frikë reale se ata nuk do të jenë të paanshëm’. Ata theksojnë se “një gjyqtar nuk ka nevojë të shpallë paanësinë e tij, ajo duhet të jetë e nënkuptuar”. Më tej, mbrojtja shton:

“Nëse një gjyqtar ndien nevojën të deklarojë se është i paanshëm, do të thotë se në një farë mënyre është i vetëdijshëm se veprimet e tij mund të interpretohen ndryshe. Dhe më keq akoma: cili është roli i një gjyqtari? Të bëjë drejtësi apo të dërgojë mesazhe për shoqërinë? Një gjykim penal nuk është një mjet komunikimi institucional, por një proces për të zbuluar të vërtetën e një fakti konkret, në kuadër të të drejtave ligjore”.

Me këtë lëvizje, strategjia e mbrojtjes së Luque duket se po synon të vërë në dyshim besueshmërinë e procesit gjyqësor që pritet të rifillojë, duke shtuar më tej kompleksitetin e një prej çështjeve më të ndjeshme të drejtësisë argjentinase në vitet e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco