Atalanta s’bën ulje për Lookman, Percassi sqaron premtimin që iu bë futbollistit

Atalanta s’bën ulje për Lookman, Percassi sqaron premtimin që iu bë futbollistit

16:36, 04/08/2025

Administratori i deleguar i Atalantës, Luca Percassi, ka sqaruar pozicionin e klubit në lidhje me të ardhmen e Ademola Lookman, duke riafirmuar se ekziston një marrëveshje me lojtarin për largim gjatë kësaj merkatoje, por vetëm për një transferim jashtë Italisë.

Gjatë prezantimit të portierit Marco Sportiello, Percassi deklaroi:

“Vitin e kaluar, kur morëm një ofertë prej 20 milionë eurosh nga PSG, Lookman na kërkoi të largohej. Ne, si klub serioz dhe i besueshëm, i premtuam se do ta lejonim largimin në këtë merkato, por mbi bazën e dy kushteve: e para, të kalonte te një superklub europian, dhe e dyta, që të mos luante kurrë për një tjetër skuadër italiane, për respekt ndaj asaj që ai ka dhënë për Atalantën dhe asaj që ka marrë nga ne.”

Në këtë mënyrë, Percassi i ka dërguar një mesazh të qartë Interit, që kërkon shërbimet e sulmuesit nigerian. Klubi bergamask nuk ka ndërmend të lehtësojë negociatat me rivalët e drejtpërdrejtë dhe ka vendosur një çmim të qartë: 50 milionë euro për cilindo klub italian që dëshiron Lookman.

“Situata që njihni sot është shumë e ndryshme,” shtoi Percassi për mediet. “Në çdo rast, Atalanta gjithmonë vlerëson kohën dhe vlerën e lojtarëve të saj, por si gjithmonë, ne jemi ata që vendosim.”

Kjo do të thotë se, nëse vjen një ofertë nga jashtë Italisë, atëherë mund të ketë hapësirë për negociata më të favorshme, në respekt të premtimit të bërë ndaj lojtarit një vit më parë. Tashmë priten zhvillime të mëtejshme nga Milano, ku Interi duhet të vendosë nëse do të përmbushë kërkesat e Atalantës, apo do të heqë dorë nga pista Lookman.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco