Zyrtare/ João Palhinha kalon te Tottenham-i, huazim me të drejtë blerjeje

Zyrtare/ João Palhinha kalon te Tottenham-i, huazim me të drejtë blerjeje

22:21, 03/08/2025

Tottenham Hotspur ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit portugez João Palhinha nga Bayern Munich, në formë huazimi për një sezon, me të drejtë blerjeje për 30 milionë euro në verën e vitit 2026.

Palhinha, 30 vjeç, rikthehet kështu në Londër, një vit pasi ishte larguar nga Fulham-i drejt Bundesligës. Te Bayern-i shkoi për një shumë prej 50 milionë eurosh pas dy sezoneve të shkëlqyera në Premier League nën drejtimin e trajnerit Marco Silva.

Megjithatë, eksperienca në Gjermani nuk rezultoi aq e suksesshme: portugezi u aktivizua në 25 ndeshje në total, por vetëm 9 si titullar. Edhe pse fillimisht kishte shprehur dëshirën për të luftuar për një vend në formacionin e kampionëve të Gjermanisë, Palhinha ka vendosur të transferohet sërish në Angli për të kërkuar më shumë hapësira.

Te Tottenham-i, ai pritet të rivalizojë për një vend në mesfushë me Pape Sarr dhe Yves Bissouma, duke sjellë eksperiencën dhe cilësitë që e bënë një nga mesfushorët më të vlerësuar në Angli.

Në sezonin 2023/24, Palhinha ishte lojtari me më shumë ndërhyrje të suksesshme në Premier League dhe i treti për duel fituar, tregues të qartë të profilit të tij si shkatërrues loje. Nëse arrin të rikthejë këto paraqitje edhe me fanellën e Spurs, klubi londinez mund ta blejë përfundimisht verën e ardhshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco