Thomas Partey mes rikthimit në Spanjë dhe akuzave të rënda penale

Thomas Partey mes rikthimit në Spanjë dhe akuzave të rënda penale

18:46, 03/08/2025

Mesfushori ganez, Thomas Partey, është shumë pranë transferimit te Villarreal-i, në një marrëveshje që pritet të zyrtarizohet brenda pak ditësh. Kontrata e parashikuar do të jetë për një vit, me mundësinë për shtyrje edhe për 12 muaj të tjerë. Mediet raportojnë se Partey tashmë ka kaluar vizitat mjekësore dhe ka rënë dakord për kushtet personale me klubin spanjoll.

Ky zhvillim vjen në një moment shumë të ndjeshëm për 32-vjeçarin, i cili është thirrur të paraqitet në gjykatë të martën, një ditë para se Villarreal-i të përballet me ish-klubin e tij, Arsenal, në një ndeshje miqësore në “Emirates Stadium”.

Partey është i akuzuar për pesë raste përdhunimi dhe një sulm seksual, për të cilat ai mohon fajësinë. Akuzat lidhen me ngjarje të ndodhura mes viteve 2021 dhe 2022, gjatë kohës kur ai luante për Arsenalin, dhe janë ngritur nga tri gra të ndryshme. Ai është në hetim që nga shkurti i vitit 2022, ndërsa akuzat formale u ngritën më 4 korrik 2025, vetëm katër ditë pas përfundimit të kontratës së tij me klubin londinez.

Arsenal kishte qenë në bisedime për ta mbajtur Partey-n, i cili u bashkua me klubin në vitin 2020 nga Atletico Madrid për një shumë prej 50 milionë eurosh dhe zhvilloi 167 paraqitje me fanellën e “Topçinjve”. Trajneri Mikel Arteta e kishte cilësuar atë si një lojtar "shumë të rëndësishëm për ne", por palët nuk arritën marrëveshje për rinovimin dhe ai u largua si lojtar i lirë.

Pas ngritjes së akuzave, klubi i Arsenalit publikoi një deklaratë të shkurtër, duke theksuar se kontrata e Partey-t kishte përfunduar dhe për shkak të procesit gjyqësor në vijim, "nuk mund të komentohej më tej". Arteta, i pyetur për këtë çështje në një konferencë për shtyp, u shpreh: “Jam 100% i sigurt që klubi i ka ndjekur të gjitha procedurat në mënyrë të duhur”.

Për Villarrealin, që së fundmi u përball me Leeds United në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, përfshirja në Champions League ka qenë një faktor kyç për bindjen e Partey-t për të kaluar te "Nëndetësja e Verdhë". Ai gjithashtu kishte dëshirë të rikthehej në futbollin spanjoll.

Megjithatë, mbetet për t’u parë si do të reagojë opinioni publik dhe media në Spanjë, në momentin që transferimi i Partey-t të shpallet zyrtarisht, për shkak të çështjes së ndjeshme ligjore që e ndjek.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco