Dinamo luan në turin e tretë të Ligës së Konferencës përballë një kundërshtari shumë të vështirë siç është Hajduk Split. Skuadra kroate cilësohet padyshim si favorite për të kaluar turin dhe do të tentojë të sigurojë një avantazh që në ndeshjen e parë që e luan në fushën e vet të enjten e ardhshme.
Sfida në “Stadion Poljud” të Splitit, sipas axhendës së zyrtarizuar nga UEFA, do të nisë në orën 21:00 të së enjtes, duke qenë ndër ata që luhen më vonë në këtë tur.
Ndërkohë, janë zyrtarizuar edhe gjyqtarët për ndeshjen e parë, me një grup arbitrash nga Kazakistani që do të ndajnë drejtësinë.
Gjyqtari 32-vjeçar Sajat Karabajev është caktuar kryesor për këtë duel, që është i pari për të në drejtimin e një klubi të Superiores.
Por ai ka qenë vetëm pak javë më parë protagonist me një tjetër skuadër shqiptare, pasi drejtoi sfidën e Ligës së Kampioneve të Shkëndijës së Tetovës ndaj TNS të Uellsit, të fituar pas kohëve shtesë nga kuqezinjtë.
Asistentë të tij janë Dmitriy Belogradov dhe Aleksei Dolgikh, me Saken Baimbet si gjyqtar të katërt.
Ndërkohë, në dhomën e VAR-it kryesor do të jetë holandezi Riçard Martens, me kazakun Aidin Tasibajev si asistent të tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: