Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, ka reaguar me forcë ndaj kritikave të drejtuara ndaj Cristiano Ronaldos për mungesën e tij në varrimin e Diogo Jota-s, i cili humbi jetën më 3 korrik, së bashku me vëllanë e tij, André Silva, në një aksident tragjik rrugor.
Në një intervistë për të përjavshmen "Expresso", Proença e quajti këtë çështje një “padrejtësi të madhe” dhe theksoi se kapiteni i kombëtares ka qenë i përfshirë emocionalisht dhe shpirtërisht që nga momenti i parë.
“Është një padrejtësi e madhe të thuash se Cristiano, në njëfarë mënyre, ka pasur një sjellje të ftohtë ndaj kësaj ngjarjeje. Që në çastin e parë ai ka qenë pranë nesh dhe ishte ndër njerëzit që ishin më afër me familjen e kombëtares, me familjen e gjakut të vetë Jota-s. Dhe po e përsëris: është një padrejtësi ajo që u tha për kapitenin tonë, Cristiano Ronaldo. Ai ishte ndër ata që e ndjeu më shumë, sepse Jota ishte një shok i vërtetë për të. Mungesa e tij fizike nuk do të thotë asgjë më shumë se kaq, sepse ai kurrë nuk e ka braktisur këtë familje,” – tha Proença.
Kreu i FPF-së përfitoi gjithashtu nga rasti për të theksuar rëndësinë e Ronaldos për përfaqësuesen portugeze dhe bëri të qartë se vazhdimësia e tij do të varet nga aspektet teknike dhe nga vullneti i vetë lojtarit.
“Cristiano do të luajë për kombëtaren ose me dëshirën e tij, ose sepse ndoshta mund të mos jetë më një zgjedhje teknike apo sportive. Me të do të ndodhë njësoj si me çdo lojtar tjetër,” – shtoi ai.
Proença shprehu gjithashtu dëshirën që Ronaldo të qëndrojë sa më gjatë në ekipin kombëtar:
“Kjo nuk na pengon të themi se do të donim që Cristiano të ishte për shumë vite pjesë e Portugalisë. Do të thotë që ne do të kishim një lojtar që, më lejoni të them, nëse jo më të mirin, atëherë patjetër një nga më të mirët e të gjitha kohërave në futbollin tonë. Do të dëshiroja që Cristiano të ishte i përjetshëm. Por, natyrisht, natyra njerëzore ka kufijtë e saj. Dhe kjo do të ndodhë, them se në një mënyrë të natyrshme,” – përfundoi Proença.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: