Agjenti i Allegrit ngre dyshimet: Jo të gjithë te Milani janë dakord me blerjen e Jasharit

Agjenti i Allegrit ngre dyshimet: Jo të gjithë te Milani janë dakord me blerjen e Jasharit

11:11, 01/08/2025

Telenovela rreth transferimit të Ardon Jasharit te AC Milan po kthehet në një sagë të stërzgjatur, mes përplasjeve publike dhe negociatave të ndërlikuara. Nga njëra anë qëndron dëshira e fortë e mesfushorit të ri për t’u transferuar në “San Siro”, ndërsa nga ana tjetër, një luftë e heshtur mes Milanit dhe Club Brugge, që po i bën presion situatës.

Megjithatë, sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, kjo histori mund të ketë një zhvillim përfundimtar së shpejti. Pritet që pas kthimit të CEO-s Giorgio Furlani nga turneu parasezonal, të hënën të zhvillohet një takim i rëndësishëm për të vendosur rrugën që do të ndiqet më tej.

Agjenti i Allegrit flet për Jasharin

Giovanni Branchini, agjent i Massimiliano Allegrit, në një intervistë për Sky Sport (përmes MilanNeës), komentoi mbi situatën e krijuar rreth Jasharit, duke theksuar seriozitetin e ofertës së Milanit.

“Nuk mendoj se Allegri do të japë dorëheqjen nëse Jashari nuk vjen te Milani. Ai është një lojtar interesant që Milani po përpiqet ta marrë me një ofertë domethënëse. Max nuk ka frikë për kompletimin e skuadrës.”

Kur u pyet nëse Jashari është me të vërtetë një kërkesë e fortë dhe insistuese nga ana e Allegrit, Branchini u përgjigj:

“Ai iu propozua Milanit dhe kaloi testin. Është një lojtar interesant, por nuk është ‘lojtari i njëmbëdhjetë’ që i mungon domosdoshmërisht ekipit. Nuk jam aq i sigurt se të gjithë brenda klubit janë plotësisht dakord me këtë operacion. Megjithatë, oferta është shumë serioze.”

Çfarë pritet tani?

Me palët që mbajnë pozicione të forta dhe me Jasharin që ka shprehur hapur dëshirën për të veshur fanellën kuqezi, pritet që java e ardhshme të jetë vendimtare. Milani është i vendosur që të mos tërhiqet pa një përfundim të qartë, ndërsa Brugge kërkon të përfitojë maksimalisht. A do të jetë ky një kapitull i ri për Jasharin, apo një rast i humbur për Milanin? Mbetet për t’u parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco