Pas kualifikimeve historike në raundin e dytë, skuadrat shqiptare që vijojnë rrugëtimin në Ligën e Konferencës do të kenë përballë kundërshtarë të kalibrit më të lartë në fazën e tretë të kompeticionit. Shorti dhe rezultatet kanë rezervuar duele me shumë peshë për Egnatian, Dinamo City dhe Ballkanin, që tashmë përgatiten për sfida me vështirësi të konsiderueshme.
Egnatia - Olimpija Ljubljana
Kampionët e Shqipërisë kaluan me elegancë Dinamo Minskun me rezultat të përgjithshëm 3-0 dhe tani i pret një sfidë “ferri” ndaj kampionëve të Sllovenisë, Olimpija Ljubljana. Skuadra sllovene ka përvojë të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare dhe përfaqëson një rrezik të vërtetë për rrogozhinasit, të cilët po kërkojnë të shkruajnë historinë në Europë.
Dinamo City - Hajduk Split
Dinamo City (ish-Dinamo Tirana), e cila eliminoi Atletik Escaldes të Andorrës, përballet me një emër të madh të futbollit kroat: Hajduk Split. Klubi nga Dalmacia, me histori të gjatë në Europë dhe tifozëri të zjarrtë, do të jetë një test i fortë për dinamovitët që synojnë të bëjnë një tjetër hap përpara në një sezon ndërkombëtar të suksesshëm.
Ballkani - Shamrock Rovers
Ballkani, me përvojën e dy sezoneve të fundit në Europë, do të ndeshet me kampionët e Irlandës, Shamrock Rovers, të cilët eliminuan me lehtësi St Joseph's nga Gjibraltari. Suharekasit vijnë pas një performance të pjekur ndaj Florianas dhe pritet të zhvillojnë një duel të balancuar me irlandezët, në një përballje që mund të vendoset nga detajet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: