Ish-ylli i NBA-së përballet me akuza për organizim të lojërave të paligjshme të fatit

Ish-ylli i NBA-së përballet me akuza për organizim të lojërave të paligjshme të fatit

19:30, 31/07/2025

Ish-basketbollisti i njohur i NBA-së, Gilbert Arenas, është përfshirë në telashe serioze me ligjin, pasi u arrestua të mërkurën nga autoritetet federale amerikane së bashku me pesë persona të tjerë, nën akuzën për drejtimin e një rrjeti të paligjshëm bixhozi në Kaliforni. Sipas aktakuzës, 43-vjeçari Arenas dyshohet se organizonte në vilën e tij lojëra pokeri me baste të larta.

Arenas përballet me akuza për konspiracion për organizim të lojërave të paligjshme të fatit, drejtim të një biznesi të paligjshëm dhe deklarata të rreme ndaj hetuesve federalë.

Ai pritet të paraqitet përballë gjykatës federale në Los Anxhelos pasditen e së mërkurës qw vjen për t’u njohur zyrtarisht me akuzat. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në pesë vjet burg për secilwn nga akuzat.

Mes të arrestuarve të tjerë janë shtetasit Yevgeny Giora Gershman (49), Alan Elika Austria (52), Yevgeny Yugni Turevski (48), Yarin YC Cohen (27) dhe Yevgen Kratsun (43), të gjithë banues në Kaliforni. Sipas autoriteteve, Gershman konsiderohet figurë e lartë e krimit të organizuar izraelit.

Rrjeti dyshohet se ka vepruar nga shtatori i vitit 2021 deri në korrik të 2022, periudhë gjatë së cilës Arenas u kishte vënë në dispozicion vilën e tij bashkëpunëtorëve për organizimin e lojërave të paligjshme të tipit ‘Pot Limit Omaha’ dhe variante të tjera të pokerit. Lojtarët paguanin një përqindje ose tarifë fikse për pjesëmarrjen në çdo dorë.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Gershman punësonte gra që shërbenin pije, ofronin masazhe dhe shoqëri për lojtarët, ndërkohë që merrnin bakshishe dhe ndanin një pjesë të fitimeve me organizatorët. Në ambient punonin gjithashtu kuzhinierë, valetë dhe roje të armatosur.

Gilbert Arenas ishte tre herë pjesë e ndeshjeve All-Star dhe tre herë u përzgjodh në pesëshet më të mira të NBA-së (2004–06, 2006–07). Ai ka luajtur për Golden State Warriors, Washington Wizards, Orlando Magic dhe Memphis Grizzlies, me mesatare karriere 20.7 pikë, 5.3 asistime, 3.9 kërcime dhe 1.6 vjedhje topi në 552 ndeshje të sezonit të rregullt.

Karriera e tij u trondit rëndë në vitin 2009, kur ai dhe bashkëlojtari Javaris Crittenton sollën armë zjarri në dhomat e zhveshjes së Washington Wizards pas një sherri gjatë një udhëtimi me avion që kishte lidhje me bixhozin. Për këtë incident, Arenas u pezullua për pjesën e mbetur të sezonit 2009–10.

Golden State Warriors e kishin zgjedhur Arenas në vendin e 31-të në Draftin e vitit 2001, pasi kishte luajtur në Universitetin e Arizonës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco