Notari francez, Léon Marchand, ka thyer rekordin botëror në disiplinën 200 metra stil i kombinuar, duke përmirësuar me më shumë se një sekondë kohën e vendosur nga amerikani Ryan Lochte në vitin 2011.
Në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të Notit, që po zhvillohet në Singapor, Marchand ndali kohën në 1:52.69, një rezultat 1.31 sekonda më i shpejtë se rekordi i mëparshëm.
“Është e pabesueshme që e përmirësova rekordin me një sekondë të plotë... ende më duket e vështirë ta besoj. Një kohë 1:52 në 200 metra? Është çmenduri! Jam jashtëzakonisht i lumtur,” tha 23-vjeçari për World Aquatics.
Kampion olimpik dhe botëror që sfidon çdo limit
Marchand është tashmë kampion olimpik dhe dy herë kampion bote në këtë disiplinë, e cila përfshin të katër stilet e notit në një garë të vetme: flutur, shpinë, bretkosë dhe stil i lirë. Pavarësisht një fillimi të vitit me lëndime, ai është rikthyer fuqishëm në garat ndërkombëtare që nga muaji maj, duke dëshmuar formën brilante që e bëri ‘yllin; më të madh të Lojërave Olimpike “Paris 2024”.

Synimi, titulli i gjashtë botëror
Marchand do të kërkojë të bëjë histori edhe më tej në finalen e kësaj të enjteje, ku do të tentojë të fitojë titullin e gjashtë botëror dhe të shtojë më tej koleksionin e medaljeve, që përfshin 22 medalje olimpike dhe botërore, nga të cilat 18 janë të arta.
“Gjatë 50 metrave të fundit kisha ende kë të ndiqja,” tha ai. “U përpoqa ta ndërtoja mirë atë fund dhe dhashë gjithçka. Ishte jashtëzakonisht e vështirë, sepse po notoja me një ritëm të çmendur.”
Pas kësaj arritjeje madhështore, Marchand do të garojë edhe në 400 metra stil i kombinuar të dielën, një tjetër sfidë ku priten rekorde të reja.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: