Milani vazhdon kërkimin për një sulmues që do të plotësojë repartin ofensiv pranë Santi Giménez, ndërkohë që priten zhvillime për Vlahovic dhe vëzhgohet situata e Gonçalo Ramos. Në këtë kontekst, një deklaratë nga Gjermania ka ndezur skenën kuqezi: është pikërisht Pavel Kuka, ish-sulmues i njohur çek dhe aktualisht agjent i Patrik Schick, ai që ka lënë të hapur një mundësi intriguese.
“Në futboll gjithçka është e mundur, por duhet lëvizur me kujdes. Patrik ka ende dy vite kontratë me Bayer Leverkusenin,” tha Kuka në një intervistë për MilanNews. “Nuk do të jetë e lehtë ta largosh këtë verë, pasi Leverkusen tashmë ka shitur lojtarë të rëndësishëm si Wirtz, Xhaka, Tah dhe Frimpong. Edhe sportivisht do të ishte një humbje e madhe për klubin nëse do të largohej edhe Schick.”
Megjithatë, dera për një transferim në Milano nuk është mbyllur aspak. “Atij do t’i pëlqente shumë të shkonte te Milani, nuk ka rëndësi kur ndodh kjo. Do të ishte një goditje e madhe për kuqezinjtë, pasi Patrik aktualisht është në një formë të shkëlqyer. Për cilësinë që ka, çmimi i kartonit të tij nuk është i lartë. Mendoj se Milani mund ta përballojë,” shtoi Kuka.
Agjenti zbuloi gjithashtu se Milani nuk është klubi i vetmi që e ndjek Schick-un: “Ka zëra në qarkullim dhe është e vërtetë që dy-tre klube e dëshirojnë. Në mendimin tim, Patrik është një nga sulmuesit më të mirë në botë aktualisht.”
Sa i përket të ardhmes, Kuka mbetet enigmatik: “Të gjitha mund të ndodhin... ai ka qenë në tratativa edhe me Manchester United në të kaluarën. Por për Patrikun, aspekti sportiv është shumë i rëndësishëm. Me Leverkusenin ka fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, një ‘Double’ historik, duke qenë fare pranë edhe ‘Tripletës’. Luan në Champions League aty dhe nuk është gjithçka çështje parash. Gjithsesi, nuk e përjashtoj një transferim te Milani që këtë verë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: