Një mbrëmje e paharrueshme për futbollin shqiptar dhe për qytetin e Tetovës! Shkëndija ka shkruar një faqe të artë në historinë e saj, duke mposhtur me rezultat 2-1 FCSB-në në Bukuresht dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e tretë eliminator të UEFA Champions League me rezultat të përgjithshëm 3-1. Në një ndeshje plot emocione, ku zemra dhe guximi mbizotëruan mbi emrin e madh të kundërshtarit, golat e realizuar nga Latifi (33') dhe Kërstevski (88') përmbysën avantazhin e hershëm të rumunëve me golin e Tschisottit (28').
Trajneri Jeton Beqiri, i emocionuar pas fitores, theksoi se ky sukses është rezultat i një pune të përbashkët.
“U thashë futbollistëve që vetëm me besim dhe guxim mund të triumfojmë këtu. E dija që do të kishim rastet tona dhe për fat të mirë i shfrytëzuam. Kjo është arritje për të gjithë klubin, nga investitorët, administrata, futbollistët, deri te tifozët tanë të jashtëzakonshëm.”
“Ballistët”, forca e padukshme e Shkëndijës
“Nuk kam fjalë për ‘Ballistët’. Ata janë tifozët më të mirë në botë. Të na mbështesin në Bukuresht, në këtë mënyrë, është diçka që e bën këtë fitore edhe më të veçantë”, tha Beqiri, duke shtuar se prania e tyre ishte frymëzuese dhe jetike për ekipin.
Provokimet dhe përgjigjja në fushë
I pyetur për deklaratat nënçmuese të drejtuesve të FCSB-së para ndeshjes, Beqiri reagoi me qetësi:
“Nuk më interesojnë deklaratat. Në futboll nuk fitojnë milionat, por zemra dhe pasioni. Dhe fushën e fituam ne.”
Qarabag, sfida e radhës
“Qarabagu është kundërshtar shumë serioz dhe i organizuar. Por ne do ta respektojmë fanellën që mbajmë dhe do japim maksimumin. Të tjerat do t’i tregojë fusha.”
Kritikë ndaj lojës, por krenari për rezultatin
“Nuk jam i kënaqur me mënyrën si luajtëm, sidomos në pjesën e parë. Por ndonjëherë, kur merr rezultatin, gjithçka justifikohet. Tani që kemi siguruar grupet e Conference League, presioni do të bjerë dhe mund të jemi edhe më të rrezikshëm.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: