Ish-trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, është bërë protagonist i një akti të jashtëzakonshëm në një plazh italian, ku shpëtoi dy vajza nga mbytja në det. Ngjarja ndodhi teksa ai po pushonte me familjen, kur papritur vuri re panikun e njerëzve në breg dhe sinjalet e ndihmës nga roja bregdetare.
"Po qëndroja nën çadër me gruan dhe fëmijët. Pashë njerëzit që po mblidheshin dhe vajzat që po bërtisnin e sbrapseshin në ujë. Kuptova menjëherë rrezikun dhe u hodha në det pa menduar dy herë", tregon Stramaccioni për ‘Gazzetta.it’.
Sipas tij, deti ishte i trazuar prej ditësh dhe zona ku ishin vajzat ishte veçanërisht e rrezikshme, përballë shkëmbinjve. Ai vendosi të shpëtonte vajzën më të madhe, ndërsa roja bregdetare iu drejtua tjetrës. “Vajza kishte frikë, por i thashë të qëndronte e qetë dhe se gjithçka do kalonte brenda pak minutash dhe ashtu ndodhi.”
Pas shpëtimit të vajzës së parë, Stramaccioni u rikthye menjëherë për të ndihmuar vajzën e dytë, gjendja e së cilës ishte kritike. Ajo po fundosej vazhdimisht, kishte pirë shumë ujë dhe po e tërhiqte edhe atë me vete. “I thashë të më dëgjonte, se e vetmja mundësi ishte të futej në një të çarë të vogël mes shkëmbinjve. E tërhoqa dhe e shtyva brenda, pastaj unë u përplasa me shkëmbinjtë.”
Me ndihmën e njerëzve në breg, që hodhën një litar, arriti të dalë edhe vetë, i plagosur në duar e këmbë. Vajza shpëtoi, por ai e mësoi këtë vetëm pasi arriti në breg.
"Më pas djali më pyeti: 'Po sikur të kishe vdekur?'. E bëra sepse do të doja të veproja njësoj sikur në vend të tyre të ishte familja ime. Jeta është gjëja më e çmuar që kemi", tha Stramaccioni.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: