Leao lartëson figurën e Allegrit: Me të ka ndryshuar gjithçka, tani jemi skuadër

Leao lartëson figurën e Allegrit: Me të ka ndryshuar gjithçka, tani jemi skuadër

12:55, 30/07/2025

Massimiliano Allegri ka transformuar Milanin. Këtë e pohon vetë Rafa Leao, i cili në konferencën për shtyp në prag të sfidës ndaj Perth Glory foli me superlativa për trajnerin e ri të kuqezinjve. Sulmuesi portugez pranoi se me ardhjen e Allegrit diçka ka ndryshuar brenda grupit, që tashmë ndihet më i bashkuar se kurrë:

“Ka një trajner me përvojë, që ka fituar edhe më parë këtu te Milani. Ne jemi një grup i ri, me disa lojtarë më me eksperiencë që janë këtu prej kohësh. Po ndërtojmë ekipin me shpirtin e duhur, që të ndihmon edhe kur nuk luan mirë. Krahasuar me të kaluarën, ka ndryshuar gjithçka,” tha Leao.

Një mesazh i qartë nga numri 10 i Milanit, që tingëllon edhe si një shigjetë ndaj së kaluarës së afërt të klubit, por edhe si një shenjë vetëdijeje për sezonin e ri:

“Ndiej që këtë vit Milani do të jetë një skuadër e vërtetë. Kemi lojtarë të rëndësishëm që mund të bëjnë diferencën, por mbi të gjitha do të ketë një shpirt të madh skuadre,” shtoi ai.

Pas humbjes me Arsenalin dhe fitores spektakolare ndaj Liverpoolit, kuqezinjtë tashmë do të përballen me Perth Glory-n:

“Pres një ndeshje të mirë kundër një skuadre të mirë. Trajneri na ka shpjeguar si të sulmojmë dhe të mbrohemi ndaj tyre, por gjëja më e rëndësishme është të jemi gati për fillimin e kampionatit. Duhet të përgatitemi sa më mirë, qoftë 45 apo 90 minuta, të përpiqemi të fitojmë, por objektivi është të jemi në formë për nisjen e sezonit. Ne do të japim maksimumin për të mposhtur Perth Glory-n,” tha sulmuesi.

Leao foli edhe për mbështetjen e tifozëve: “Ka vërtet shumë tifozë dhe ndiejmë ngrohtësinë e tyre. Është shumë bukur për ne të luajmë në këto kushte. Jemi shumë të lumtur për këtë pritje dhe do të përpiqemi t’i shpërblejmë me një paraqitje të bukur ndaj Perth.”

Ndërkohë, qyteti australian mund të presë sërish Milanin nëse arrihet marrëveshja për të luajtur në shkurt, ndaj Comos, në ‘Optus Stadium’:

“Nuk është ende zyrtare dhe mund të them pak gjëra, por nëse do të luanim përsëri këtu do të ishte shumë bukur sepse do të kishim shumë tifozë dhe do të ishte fantastike,” përfundoi Leao.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco