Samuel Lino i ka dhënë lamtumirën Atletico Madrid pas dy sezonesh të plota me fanellën bardhekuqe. Sulmuesi i majtë brazilian, i lindur në vitin 1999, regjistroi 93 paraqitje, 12 gola dhe 16 asiste gjatë kohës së tij në klubin madrilen, por tani ka vendosur të rikthehet në vendlindje.
25-vjeçari ka zgjedhur të bashkohet me Flamengo-n, klub ku kishte hedhur hapat e parë në futbollin e të rinjve përpara se të nisej drejt Europës. Lino bëhet kështu përforcimi i katërt i gjigantëve brazilianë pas emrave të tillë si Jorginho, Emerson Royal dhe Saul Niguez. Operacioni mendohet të jetë mbyllur për një shifër rreth 22 milionë euro.
Flamengo e ka bërë zyrtar transferimin përmes një komunikate:
“Sulmuesi, i ardhur nga Atletico Madrid, ka firmosur kontratë me Mengão deri në dhjetor 2029 dhe do të jetë një opsion i ri për trajnerin Filipe Luís në vazhdim të kampionatit brazilian, Kupës së Brazilit dhe Copa Libertadores. Midis viteve 2017 dhe 2018, lojtari pati një përvojë të shkurtër me ekipin e të rinjve të klubit kuqezi. Ai do të mbajë fanellën me numrin 16.”
Nga ana tjetër, Atletico Madrid i ka uruar suksese Linos në një mesazh lamtumire:
“Atletico Madrid dhe Flamengo kanë arritur një marrëveshje për transferimin e Samuel Linos. Futbollisti brazilian niset për një sfidë të re në karrierën e tij pas dy sezoneve me fanellën bardhekuqe. Lino iu bashkua klubit tonë në verën e vitit 2022 nga Gil Vicente dhe pas huazimit te Valencia (2022/23), u rikthye për të luajtur 93 ndeshje, duke shënuar 12 gola dhe dhuruar 16 asiste. I urojmë shumë fat në projektet e tij të ardhshme profesionale dhe personale.”
Ky transferim përfaqëson një kthim në shtëpi për Lino-n, i cili synon të rigjejë vazhdimësinë dhe të ndihmojë Flamengo-n në betejat për trofetë në Brazil dhe Amerikën e Jugut.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: