Manchester City ka refuzuar një ofertë prej rreth 29 milionë eurosh nga Nottingham Forest për mesfushorin James McAtee, sipas raportimeve të “Sky Sports”. Mesfushori anglez 22-vjeçar ndodhet në vitin e fundit të kontratës me “citizens”, por e ardhmja e tij mbetet e pasigurt.
City ka forcuar ndjeshëm skuadrën për sezonin e ri me afrimet e Tijjani Reijnders dhe Rayan Cherki, çka mund ta kufizojë edhe më tej hapësirën e McAtee. Në sezonin e kaluar, ai zhvilloi 27 ndeshje dhe shënoi shtatë gola, por nuk arriti të fitonte një rol të rëndësishëm në planet e Pep Guardiolës.
Nottingham Forest, i drejtuar nga Nuno Espírito Santo, synon të përfitojë nga situata për t’i ofruar McAtee një rol më të spikatur në skuadër. Megjithatë, oferta e parë nuk ka bindur Manchester City-n, që mbetet i palëkundur në vlerësimin e kartonit të mesfushorit të kombëtares U-21 të Anglisë, skuadër që ai e çoi drejt titullit europian këtë verë si kapiten.
McAtee, i njohur për aftësinë e tij për të luajtur si mesfushor kreativ ose në krahët e sulmit, shihet nga Nottingham Forest si një element me potencial të madh zhvillimi. Ai gjithashtu do të mund të zgjerojë opsionet e Nuno Espírito Santos në fazën ofensive, sidomos pas largimit të Anthony Elanga drejt Newcastle.
Për momentin, mbetet për t’u parë nëse Forest do të rikthehet me një ofertë të re që mund të bindë Manchester City-n të heqë dorë nga një prej talenteve më premtues të akademisë së vet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: