Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, ka folur hapur për negociatat në vazhdim me Club Brugge për mesfushorin Ardon Jashari, i cili mbetet një nga objektivat kryesorë të merkatos së kuqezinjve. Gjatë Asamblesë së Serisë A, Scaroni u ndal nga mediet për të komentuar mbi situatën, duke sqaruar pozicionin e klubit:
“Nuk duam të ofrojmë më shumë. Jashari dëshiron të vijë me çdo kusht.”
Prej javësh, Milan ka qenë në bisedime me Club Brugge, por oferta e fundit e klubit italian është refuzuar sërish nga belgët. Megjithatë, sinjalet që vijnë nga kampi i futbollistit janë të qarta: Jashari dëshiron transferimin në Milano.
Ndërkohë, drejtori sportiv Igli Tare ka konfirmuar për ‘Gazzetta.it’ se është bërë një tjetër tentativë për ta afruar mesfushorin:
“Jemi në marrëdhënie të mira me Brugge dhe kemi bërë një ofertë të re për Jasharin, një ofertë që e konsiderojmë shumë të rëndësishme dhe të drejtë në raport me vlerën e lojtarit. Nuk jemi të gatshëm të shkojmë më lart.”
Për momentin, topi është në fushën e Club Brugge, ndërsa Milani mbetet në pritje të një përgjigjeje përfundimtare. Megjithatë, insistimi i Ardon Jasharit për t’u bashkuar me kuqezinjtë mund të luajë një rol kyç në zgjidhjen e kësaj situate.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: