Futboll nën dritën e mesnatës, Groenlanda nis ligën më të shkurtër në botë

Futboll nën dritën e mesnatës, Groenlanda nis ligën më të shkurtër në botë

13:07, 29/07/2025

Në kryeqytetin Nuuk, në skajin verior të botës, ka nisur një nga kampionatet më të veçanta që ekzistojnë: liga kombëtare e Groenlandës, një turne sa i shkurtër aq edhe pasionant, që zhvillohet në vetëm gjashtë ditë dhe mbyllet me finalen e madhe të dielën.

Një kampionat, pesë ndeshje për t’u shpallur kampion

Vetëm tetë skuadra marrin pjesë në këtë kampionat, të ndara në dy grupe me nga katër ekipe. Secila skuadër luan tri ndeshje në grup, dy të parat kalojnë në gjysmëfinale, dhe më pas vjen finalja. Në total, një skuadër ka nevojë për vetëm pesë ndeshje për të fituar titullin e kampionit në ishullin më të madh të globit.

Ky organizim i përqendruar nuk është rastësi. Me sfida që luhen të martën, të mërkurën dhe të enjten, një ditë pushim të premten, dhe pastaj gjysmëfinalet të shtunën e finalja të dielën, klima, distancat dhe infrastruktura e kufizuar e bëjnë të pamundur një sezon të zakonshëm si në Evropë.

Image

Futboll amator… me shpenzime profesionistësh

Pavarësisht që është një ligë totalisht amatore, pjesëmarrja në të ka një çmim të kripur. Çdo futbollist paguan mbi 2.000 euro për transportin nga qyteti i tij deri në Nuuk. “Nuk ka ulje çmimesh për vendasit,” tregon Aqqalu Olaf, futbollist i skuadrës N-45. Për më tepër, në sezonet e kaluara, kur kampionati zhvillohej në qytete më të largëta, si Qeqertarsuaq, lojtarët detyroheshin të udhëtonin me avion dhe më pas deri në tri ditë me traget për të arritur në destinacion.

Këtë vit, për shkak të kostove të larta, dy skuadra nuk arritën të marrin pjesë: UB-83 nga Upernavik dhe N-48 nga Ilulissat, një prej klubeve më të suksesshme të Groenlandës.

Image

B-67, skuadra legjendare që kërkon titullin e 16-të

Edhe këtë vit, favorite për titull mbetet B-67, skuadra më e titulluar e Groenlandës, me 15 kampionate të fituara, përfshirë edhe dy të fundit. Si organizatorë të turneut në kryeqytet, ata do të jenë nën vëmendje të veçantë dhe të ndjekur nga një komunitet që, për një javë të vetme në vit, jeton dhe frymon për futbollin.

“Futbolli këtu është si fe. Gjatë kësaj jave, i gjithë qyteti mblidhet rreth stadiumit, të bashkuar jo vetëm për të mbështetur ekipin e tyre, por për dashurinë ndaj lojës,” thotë një tifoze e re, e cila ndjek ndeshjet që vazhdojnë deri në mesnatë. Në Groenlandë, në këtë periudhë të vitit, drita e diellit nuk mungon as pas mesnate.

Në një botë ku futbolli është biznes miliarda eurosh, Groenlanda ofron një histori të rrallë dashurie për sportin, ku pasioni, përkushtimi dhe sakrifica tejkalojnë çdo kufi gjeografik e financiar. Në Nuuk nuk ka ‘yje’ milionerë, por ka zemra që rrahin për futbollin, edhe kur për të luajtur duhen 2.000 euro dhe një udhëtim me traget treditor.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco