Luis Diaz është vetëm një hap larg firmës me Bayernin e Mynihut. Sulmuesi kolumbian ka mbërritur sot në Bavari për të kryer vizitat mjekësore me kampionët e Gjermanisë, duke i dhënë fund “telenovelës” së gjatë me Liverpool-in. Sipas ‘The Athletic’, marrëveshja mes klubeve është mbyllur për shifrën prej 75 milionë eurosh, ndërsa lojtari do të vihet nën urdhrat e trajnerit Vincent Kompany.
28-vjeçari, i cili u largua nga turneu aziatik i Liverpool-it me lejen e klubit, ka nisur tashmë kontrollet mjekësore në ambientet e Bayernit, në Mynih, sipas burimeve të ‘SportBild’. Ai pritet të firmosë një kontratë katërvjeçare me opsion për një vit shtesë, që mund ta mbajë në ‘Allianz Arena’ deri në vitin 2030.
Transferimi i Diaz-it është fryt i një “lufte nervash” që Bayern arriti ta fitojë ndaj Liverpool-it, edhe falë lirimit të Hugo Ekitiké, që lehtësoi lëvizjet e merkatos për klubin gjerman.
Me këtë operacion të rëndësishëm, Liverpool-i arrin të arkëtojë një total prej 190 milionë sterlinash nga shitjet, që kur Richard Hughes mori detyrën si drejtor sportiv.
Luis Diaz ofron shpejtësi, teknikë dhe eksperiencë ndërkombëtare në krahun e majtë të sulmit bavarez dhe shihet si një përforcim kyç në rikonstruktimin e skuadrës nën drejtimin e Kompany. Bayern kërkon të rikthehet në majat e futbollit evropian dhe blerja e kolumbianit është një sinjal i qartë për ambiciet e klubit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: