Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka rrëfyer në një intervistë për ‘Mundo Deportivo’ prapaskenat e zgjedhjes së Marcus Rashford si përforcimi i ri për sulmin ‘blaugrana’. Ai foli për alternativat që ishin diskutuar nga drejtori sportiv Deco, Rashford, Luis Díaz dhe Nico Williams, si dhe shpjegoi pse përfundimisht zgjedhja ra mbi sulmuesin anglez të Manchester United.
“Jam shumë i lumtur sepse ishte opsioni që më pëlqente më shumë. Rashford është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, në një moshë të shkëlqyer për t’iu bashkuar Barçës. Është i motivuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe ka pasur gjithmonë ëndërr të luante për Barcelonën,” tha Laporta.
Ai shtoi se Rashford kishte kaluar një periudhë të vështirë, përfshirë edhe huazimin tek Aston Villa, por tani është rikthyer më i fortë se kurrë:
“Kur u përballëm me të në Europa League dy vite më parë, ai na mposhti me shpejtësinë dhe fuqinë e tij.”
Në lidhje me Nico Williams-n, Laporta pranoi se interesimi ishte real, por negociatat u komplikuan nga agjenti i lojtarit:
“Në momentin e fundit, agjenti ndryshoi kushtet e komisionit dhe afatet e pagesës. Kishte shumë mospërputhje midis asaj që na ishte thënë në fillim dhe asaj që u kërkua më pas.”
Sipas tij, Deco vendosi një ultimatum prej 48 orësh për mbylljen e marrëveshjes, por kushtet nuk u përmbushën.
Ndërkohë, për Luis Díaz-in, presidenti pranoi se transferimi ishte i vështirë që në fillim dhe se për këtë arsye vëmendja u përqendrua te Rashford dhe më pas te Nico.
Me këtë lëvizje, Barça shpreson që Rashford të bëhet lideri i ri në repartin ofensiv dhe të ndihmojë klubin në realizimin e objektivave madhorë, përfshirë fitimin e Champions League.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: