Ben O’Connor shkëlqeu në mënyrë të jashtëzakonshme në etapën e 18-të të Tour de France 2025, duke triumfuar i vetëm në finishin spektakolar të Courchevel-Col de la Loze, në një ditë të mbuluar nga mjegulla në Alpet franceze.
Australiani i Jayco-AlUla u shpërblye për sulmin e tij të hershëm dhe menaxhimin perfekt të forcave në ngjitjen e gjatë prej 26.5 kilometrash, me një mesatare prej 6.5% dhe pjesë që arrinin deri në 13% pjerrësi.
Por vëmendja më e madhe i takoi edhe një herë Tadej Pogacar. Sloveni i UAE Emirates tregoi edhe një herë forcën e tij të pabesueshme në metrat e fundit, kur me një shpërthim prej vetëm 400 metrash në ngjitjen finale arriti të shkëputej nga rivali kryesor Jonas Vingegaard dhe të siguronte një tjetër avantazh në renditje.
Me këtë sulm, Pogacar jo vetëm që theu fizikisht danezin, por edhe simbolikisht mbylli çdo diskutim për triumfin e katërt të tij në Tour pas fitoreve në 2020, 2021 dhe 2024. Ai tani kryeson me 4 minuta e 26 sekonda ndaj Vingegaard, ndërsa podiumi aktualizohet me Lipowitz në vend të tretë (+11’01”).
Etapa ishte dramatike që nga fillimi, me përpjekje për sulme nga Vingegaard dhe ndihmësit e tij që tentuan ta izolonin Pogacarin, por strategjia e UEA-së rezultoi më efektive. O’Connor kaloi vijën e finishit me 1’47” përpara Pogacar, ndërsa Vingegaard mbërriti 8 sekonda më vonë.
Të premten zhvillohet etapa e fundit malore në La Plagne, me vetëm 129 km, por me pesë ngjitje të vështira, që pritet të jenë më shumë spektakël sesa rrezik për klasifikimin. Sepse tani, Tour de France 2025 duket se është në xhepin e Pogacar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: