Pak ditë pas eliminimit të hidhur nga raundi i parë i Conference League përballë skuadrës së panjohur Kalhu, Partizani tronditet nga një tjetër zhvillim i papritur: trajneri Skënder Gega ka dhënë dorëheqjen. Vendimi i teknikut të kuqve ka ardhur pa paralajmërim dhe ka befasuar jo vetëm tifozët, por edhe ambientin sportiv në tërësi.
Klubi i Partizanit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar të shkurtër, ku konfirmon largimin e trajnerit dhe pranon dorëheqjen e tij, pa dhënë sqarime për arsyet që çuan në këtë vendim të papritur.
Njoftimi i klubit:
"FK Partizani njofton se trajneri Skënder Gega ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, e cila është pranuar nga Presidenti i klubit.
E falënderojmë trajnerin Gega për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe dhe i urojmë suksese në vazhdim."
Ky është largimi i dytë i Gegës nga drejtimi i Partizanit, pas eksperiencës së parë që u kurorëzua me titull kampion në sezonin 2018-2019. Kthimi i tij këtë verë kishte ngjallur entuziazëm në radhët e tifozëve, por aventura e tij e dytë përfundon para kohe dhe në mënyrë të befasishme, duke e lënë skuadrën në një moment të vështirë, pa trajner dhe jashtë garave evropiane. Klubi pritet të nisë menjëherë nga puna për gjetjen e pasuesit në pankinë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: